Shqipëria hap Konsullatën në Gjakovë, Bushati: Do thellojmë bashkëpunimin

    Gjatë një ceremonie të veçantë, u inaugurua Konsullata e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Gjakovë. Në këtë ceremoni mori pjesë Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bushati, Ministrja e Shtetit e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, zyrtarë të MPJ-së dhe institucioneve vendore, anëtarë të trupit diplomatik dhe figura të tjera të larta.

     

    Në mbledhjen e fundit midis dy qeverive, në mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës me Malësinë e Gjakovës.

    Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.

    Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ministri Bushati u shpreh se: “Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana.

     

    Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”. Më tej, ai shtoi se: “Është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e  nderit të Shqipërisë në Gjakovë, Tahir Emran, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.

     

    Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila falënderoi  Ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës, si dhe u shpreh se: “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU