Shqipëri – SHBA, historiku i një miqësie të ndërprerë për 52 vite

Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë zgjeruar në këto 25 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke u shtrirë në të gjitha fushat, në interes të të dy vendeve e popujve, në interes të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit e më gjerë.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922.

Në një vështrim të përgjithshëm, marrëdhëniet midis vendeve fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.

Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të, janë aleati i pazëvëndësuëshëm i demokracisë dhe i shtetit shqiptar.

Bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve është i orientuar në drejtim të forcimit të stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal; konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë; thellimit të reformave dhe të zbatimit të ligjit në Shqipëri; të ekonomisë, tregtisë dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut; të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.

Këto marrëdhënie të bashkëpunimit të gjerë dhe partneritetit të ngushtë, janë një bazë e sigurt që ato të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, në interes të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë e më gjerë.

– Bashkëpunimi ekonomik –

Duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që edhe marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në të njëjtin nivel. Aktualisht, në Shqipëri, janë të pranishme rreth 180 biznese amerikane të të gjitha përmasave dhe nga një spektër i gjerë i ekonomisë.
Janë krijuar të gjitha kushtet tashmë për një prani shumë më të dukshme të kapitaleve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë sonë. Mbështetja substanciale që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, nëpërmjet agjensive të saj, për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, krijon kushtet për rritjen e investimeve të drejtpërdrejta amerikane.

Në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Ndërsa si biznese private të pranishme në Shqipëri, apo pjesëmarrje në projekte mund të përmendim: Lockheed Martin, Bechtel, EximBank, etj, si dhe prania në projekte me partnerë të tjerë si ASG Power, Airport Partners, etj.

– Marrëveshjet Shqipëri-SHBA –

Ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, traktate në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.
Në prill të vitit 2015 të kaluar, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati në Uashington ku u prit në një takim nga Sekretari i Shtetit në SHBA, John Kerry, u nënshkrua një marrëveshje për partneritetin strategjik mes dy vendeve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU