Shpërndahen 224 mln dollarë për kompensimin e pronave

Personave që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të marrin kompensimin për sipërfaqen takuese. Vlera e kompensimit është rreth 244 milionë dollarë dhe janë në total 316 pronarë që do të marrin paratë. Përfituesit janë në qarkun e Elbasanit, Fierit, Shkodrës, Tiranës dhe Lezhës.

“Gazeta Shqiptare” publikon listën e plotë emërore të miratuar dje në Këshillin e Ministrave. Pronarët që u është zënë toka pa leje do të marrin 1.3 miliardë lekë për kompensim, para të cilat janë grumbulluar nga ALUIZNI pas pagesës së parcelave ndërtimore. Fondi në total i mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore për periudhën 2014-2015 arrin në 1.9 miliardë lekë, nga të cilat 1.3 miliardë lekë shkojnë për pronarët.

Procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë dhe kompensimit të pronarëve kryhen në përputhje me detyrimet e përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Për përfitimin e kompensimit duhet të plotësohen shtatë dokumente, të cilat dorëzohen në Agjencinë Trajtimit të Pronave, e cila shqyrton dosjen dhe akordon kompensimin.

Nga ana tjetër, për periudhën 2006-2015 janë dhënë 57.000 leje legalizimesh. Me ndryshimet që pësoi ligji nr.9482/2006 në vitin 2014 dhe 2015 dhe me miratimin e kuadrit të plotë të akteve nënligjore, u bë i mundur përshpejtimi i ritmeve të procesit të legalizimit, duke mundësuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014 dhe 19.714 të tjerave për periudhën janar-26 tetor 2015./a.m.

1 koment

PËRGJIGJU