Mund të ketë qenë thirrja e Christian Panuçit, ose ndoshta thjesht aroma kuqezi, por Ergys Kaçe për të përshëndetur këtë ftesë në kombëtare, për dy ndeshjet e radhës, ndaj Skocisë dhe Uellsit, na ka dhuruar një eurogol.
Nga ato që nëse do ta kishte emrin Messi ose Ronaldo, sigurisht do të bënte xhiron e botës. Në fillim një sombrero dhe goditje më pas në kuadratin e portës. Mesfushori i Panathinaikosit i ka shënuar Olympiacos në fushën e këtyre të fundit…
Por, le ta quajmë mbrëmja e Kaçes në të gjitha kuptimet. Portieri i Panathinaikosit dhe shoku i tij i skuadrës, Dioudis, ka humbur ndjenjat pas përplasjes me futbollistin e Olympiacos, Nacho, duke qëndruar në tokë dhe duke iu futur gjuha brenda.
Ka qenë pikërisht ndërhyrja e shpejtë e mesfushorit shqiptar që ka shmangur tragjedinë,ndërsa Kaçe ka kërkuar edhe ndihmën e shpejtë. Pra, hero në të gjitha senset!