Shkrimi që tronditi Amerikën: Unë zyrtari i Trump, që luftoj kundër Presidentit!

Gazeta e madhe amerikane Nju Jork Tajms nuk publikon kurrë artikuj pa emra. Sidomos kur ato janë opinione të dikujt që nuk është anëtar i stafit të gazetës. Por këtë herë NYT ka bërë një përjashtim: ka botuar një shkrim të një “zyrtari të lartë të administratës Trump”, siç shprehet vetë redaksia.

Në shkrimin në fjalë, që Javanews po boton, një personazh i panjohur brenda administratës aktuale shprehet se ai dhe të tjerë si ai po punojnë për të mos e lejuar Presidentin të rrëshqasë nga parimet bazë të demokracisë amerikane.

Artikulli ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në politikën dhe mediat amerikane. Gjahu ka nisur tashmë për të gjetur se cili është ky “hero i heshtur” brenda mureve të pushtetit të Presidentit. Lexoni më poshtë artikullin:

Presidenti Trump është duke u përballur me një provë për presidencën e tij, ndryshe nga çdo udhëheqës tjetër modern amerikan.

Nuk është vetëm se hetimi i prokurorit të posaçëm po shkon thellë. Ose se vendi është i ndarë thellë dhe me hidhërim mbi udhëheqjen e z.Trump. Ose edhe se partia e tij mund të humbasë Shtëpinë e Bardhë për një opozitë që është e bindur në rënien e tij.

Dilema – e cila nuk kuptohet plotësisht – është se shumë zyrtarë të lartë në administratën e tij po punojnë me zell nga brenda, për të penguar pjesë të axhendës së tij dhe prirjet e tij më të këqija.

Unë e di këtë gjë. Unë jam një prej tyre.

Për të qenë i qartë, jona nuk është “rezistencë” popullore e së majtës. Ne duam që kjo administratë të ketë sukses dhe mendoj se shumë nga politikat e saj tashmë e kanë bërë Amerikën më të sigurt dhe më të begatë.

Por ne besojmë se detyrimi jonë i parë shkon ndaj këtij vendi dhe presidenti vazhdon të veprojë në një mënyrë që është e dëmshme për shëndetin e republikës sonë.

Kjo është arsyeja pse shumë të emëruar të Trump janë zotuar të bëjnë atë që munden për të ruajtur institucionet tona demokratike, duke penguar impulset më të gabuara të z. Trump, derisa ai të jetë jashtë detyrës.

Rrënja e problemit është amoraliteti i presidentit. Kushdo që punon me të e di se ai nuk është i pajisur me ndonjë listë parimesh bazë të dukshme, që ta udhëheqin në vendimmarrjen e tij.

Megjithëse ai u zgjodh si republikan, presidenti tregon pak afrimitet me idealet e përkrahura prej konservatorëve: mendje e lirë, tregje të lira dhe njerëz të lirë. Në rastin më të mirë, ai i ka mbrojtur këto ide formalisht dhe në formate të shkruara. Në rastin më të keq, ai i ka sulmuar ato me forcë.

Përveç marketingut masiv të nocionit se shtypi është “armiku i popullit”, impulset e Presidentit Trump janë përgjithësisht anti-treg dhe anti-demokraci.

Mos më keqkuptoni. Ka pika të ndritshme suksesi, që mbulimi mediatik negativ i administratës nuk lejon që të shihen: derregullimi efektiv, reforma historike e taksave, një ushtri më e fuqishme dhe të tjera si këto.

Por këto suksese kanë ardhur pavarësisht – jo për shkak të – stilit udhëheqës të presidentit, i cili është i egër, kontradiktor, meskin dhe i paefektshëm.

Nga Shtëpia e Bardhë tek departamentet dhe agjencitë e ekzekutivit, zyrtarët e lartë e pranojnë privatisht mosbesimin e tyre të përditshëm në komentet dhe veprimet e komandantit në detyrë. Shumica po punojnë për të izoluar veprimet e tyre, nga tekat e tij.

Takimet me Trump largohen nga tema dhe dalin jashtë binarëve, ai e angazhon veten në shpikje të përsëritura, dhe impulsiviteti i tij rrëshqet në vendime gjysmë të pjekura, të keqinformuara dhe herë pas here të pamatura, që duhet të kthehen prapa.

“Nuk ka një mënyrë për të kuptuar nëse ai mund të ndryshojë ose jo mendjen e tij nga një minutë në tjetrën”, u ankua një zyrtar i lartë për mua kohët e fundit, i irrituar nga një takim i Zyrës Ovale, në të cilën presidenti ndryshoi qëndrim në lidhje me një vendim të madh politik, që ai kishte marrë vetëm një javë më parë.

Sjellja e çoroditur e Trump do të ishte më shqetësuese, nëse nuk do të ishte për rolin e heronjve të panjohur brenda dhe rreth Shtëpisë së Bardhë. Disa nga ndihmësit e tij janë përshkruar si fricakakë nga mediat. Por privatisht dhe pa rënë në sy të publikut, ata kanë bërë gjithçka për të penguar vendime të këqija të marra në Krahun Perëndimor (të Shtëpisë së Bardhë, shën. i përkth.), edhe pse nuk kanë qenë gjithmonë të suksesshëm.

Mund të jetë një ngushëllim i vogël, në këtë epokë kaotike, por amerikanët duhet të dinë se ka ende persona të rritur në dhomën e pushtetit. Ne e njohim plotësisht atë që po ndodh. Dhe ne po përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë, edhe kur Donald Trump nuk do ta bëjë këtë gjë.

Rezultati është një presidencë me dy shina.

Shihni politikën e jashtme: publikisht, por edhe privatisht, Presidenti Trump tregon një preferencë për autokratët dhe diktatorët, siç është Presidenti Vladimir Putin i Rusisë dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Ndërkohë ai tregon pak vlerësim të vërtetë, për lidhjet që na afrojnë me aleatët me të njëjtat ideale dhe mendime.

Megjithatë, vëzhguesit e zgjuar kanë vënë në dukje se pjesa tjetër e administratës po vepron në një rrugë tjetër, ku vendeve si Rusisë u është tërhequr vëmendja për ndërhyrje dhe janë ndëshkuar në përputhje me rrethanat, dhe ku aleatët anembanë botës janë angazhuar si kolegë dhe jo përqeshur si rivalë.

Për Rusinë, për shembull, presidenti u treua hezitues që të dëbonte shumë nga spiunët e Putinit, si dënim për helmimin e një spiuneje ruse në Britani. Ai u ankua për javë të tëra ndaj anëtarëve të stafit të lartë, që e futën në një konfrontim të mëtejshëm me Rusinë dhe shprehu zhgënjim që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të imponojnë sanksione ndaj këtij vendi, për sjelljen e tij të keqe.

Por ekipi i tij i sigurisë kombëtare e dinte më mirë – sanksione të tilla duhej të merreshin, për ta mbajtur Moskën të përgjegjshme. Këtu nuk është aspak fjala për të ashtuquajturin “shtet i thellë”. Është fjala për shtetin e qëndrueshëm në parimet e tij.

Duke parë mungesën e stabilitetit (të Donald Trump, shën. i përkth.), pati pëshpëritje se brenda kabinetit po bëheshin gati të evokonin hyrjen në fuqi të Amendamentit të 25-të, i cili do të fillonte një proces kompleks për heqjen e presidentit. Por askush brenda administratës nuk dëshëron të nxisë një krizë kushtetuese.

Ne do të bëjmë atë që mundemi, për ta kthyer administratën në drejtimin e duhur derisa – në një mënyrë apo në tjetrën – gjithçka të ketë mbaruar. Shqetësimi më i madh nuk është ajo që zoti Trump i ka bërë Presidencës, por ajo që ne si komb i kemi lejuar atij që bëjë me ne.

Kemi rënë poshtë bashkë me të dhe kemi lejuar që në fjalorin tonë të zhduket civilizimi. Senatori John McCain e shprehu më së miri këtë koncept në letrën e lamtumirës. Të gjithë amerikanët duhet t’i kushtojnë vëmendje fjalëve të tij dhe të çlirohen nga kurthi i tribalizmit, me synimin e lartë të bashkimit me vlerat e përbashkëta dhe dashurinë tonë për këtë komb të madh.

/Përktheu për JavaNews, Ardit Rada/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU