Shkodër, vrau dy vëllezërit sepse nuk i dhanë për nuse motrën/ FNSH aksion për kapjen e autorit

Vijojnë pa rezultat kërkimet për kapjen e 30-vjeçarit Aleksandër (Esat) Dushaj, autori i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Shkami në Drishtë të Shkodrës.

Operacioni i kryesuar nga FNSH-ja e Shkodrës dhe i mbështetur nga forcat RENEA dhe policia e qytetit verior nuk është konkretizuar ende me kapjen e vrasësit të vëllezërve Skënder dhe Abdullah Shkami, përkatësisht 50 dhe 61 vjeç. Puna vështirësohet për shkak të terrenit të thyer, por edhe errësirës gjatë natës. Kërkimet vijojnë nga ajri dhe toka, ndërsa po përdoret edhe qeni i gjurmës.

Policia dje bëri me dije se Dushaj është futur në një zonë të pyllëzuar dhe është i armatosur. Forcat e policisë janë porositur të bëjnë kujdes, pasi autori mund të hapë zjarr mbi ta.

Vrasja e dyfishtë në Drishtë të Postribës ndodhi rreth orës 11:30 të së shtunës. Viktimat kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi njëri prej tyre, 50-vjeçari Skënder Shkami, qe kthyer për të kaluar ndërrimin e viteve në atdhe nga Londra, ku jetonte. Ata u qëlluan me breshëri “Kallashnikovi” nga bashkëfshatari i tyre, pas një konflikti që policia e specifikon për “motive të dobëta”. Sipas bluve, autori i dyshuar kishte kërkuar me këmbëngulje vajzën e Skënder Shkamit, gjë e cila nuk qe pranuar nga ky i fundit.

Ngjarja

Një vrasje e dyfishtë tronditi Shkodrën në këto ditë festash. Dy vëllezër u qëlluan për vdekje me armë në fshatin Drisht në Postribë. Abdullah dhe Skëndër Shkami, përkatësisht 50 dhe 61 vjeç u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një bashkëfshatar i tyre 31-vjeçar pas një konflikti që policia e specifikon “për motive të dobëta”. Policia konfirmon se autori i vrasjes kishte kërkuar me ngulm për grua vajzën e Skënder Shkamit, gjë e cila nuk eshte pranuar nga viktima.  Por vetë familjarë të vëllezërve Shkami thonë se Abdullahu dhe Skënderi nuk kishin konflikte me asnjë person dhe aq më pak krushqie.

Burime per Shqiptarja.com thone se autori i vrasjes se dy vellezerve mbante kontakte ne rrjetet sociale me vajzen e cila jetonte ne Angli.

Kushëriri i tyre, Enver Shkami thotë për Shqiptarja.com se vëllezërit sapo kishin dalë nga shtëpia për të kryer vizitat e vitit të ri tek një bashkëfshatar, rreth orës 11:40 kur ju bë pritë nga autori. “Nuk i dimë motivet e vrasjes”, – shprehet ai.

Pasi ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, autori i cili është identifikuar nga policia si Aleksander (Esat) Dushaj dyshohet se është larguar në mal, ndërsa gjatë rrugës i kanë rënë disa fishekë. Për kapjen e tij janë angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, RENEA me helikopterë dhe efektivë të komisariatit të Shkodrës ndërsa po përdoren edhe qen për të rënë në gjurmët e tij.

Sipas banorëve të zonës autori ishte në gjendje të dehur kur kreu krimin. 40-vjeçari Skëndër Shkami sapo ishte kthyer nga Anglia për të kaluar festat e fundvitit pranë gjirit familjar. Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që shënohet në vitin e ri 2016.  Vetëm një ditë më parë, më 1 janar, në Sarandë një 50-vjecar vrau me armë gruan me urdhër mbrojtje e më tej qëlloi edhe veten.

Ndërkohë në natën e ndërrimit të viteve Shkodra u trondit edhe nga një aksident tragjik rrugor, ku mbeti i vdekur drejtuesi i makinës një 43-vjeçar dhe u plagosën tre pasagjerët. Shqiptarja.com

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU