Shkencëtarët i afrohen krijimit të vaksinës anti-kancer

Shkencëtarët kanë hedhur një hap përpara në krijimin e një vaksine universale për të gjithë llojet e kancerit, përfshirë këtu edhe ata që konsiderohen të pashërueshëm me metodat aktuale.

Puna kërkimore e një grupi ndërkombëtar mjekësh dhe studiuesish u publikua në revistën shkencore “Nature”.

Ata thonë se përmes asaj që quhet “imunoterapi”, kanë mundur të shkëputin copëza genetike të RNA së qelizave kancerogjene, i kanë përzierë me pjesë mikroskopike yndyre dhe më pas këtë përzierje e kanë injektuar me shiringë në gjakun e tre personave që janë në një fazë të avancuar të kancerit.

Rezultati? Sistemi imunitar i pacientëve reagoi duke prodhuar qelizat “vrasëse” të kancerit, të njohura ndryshe si qelizat T.

Veç kësaj, rezultat pozitiv testi ka pasur edhe në luftimin e tumoreve jashtëzakonisht agresivë tek minjtë, transmeton tch.

“Këto vaksina veprojnë shpejt dhe me kosto shumë të ulët dhe virtualisht çdo antigjen tumorial (proteinë që sulmohet nga sistemi imunitar), mund të zbërthehet nga RNA”, thonë shkencëtarët.

Studiuesit kërkojnë ende kohë për të pasur një rezultat përfundimtar, pasi në tre pacientët e testuar vaksina provoi se sistemi imunitar reagoi, por sërish nuk zhduku plotësisht qelizat kancerogjene.

Në njërin prej pacientëve, të cilit i ishte shfaqur sëmundja fillimisht në lëkurë e më pas i preku mushkëritë, mjekët thonë se vaksina ndaloi përhapjen e tetë tumoreve që ai kishte në organ, pergatiti Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU