Shiu paralizon Beratin, përmbyten rrugët e qytetit

Reshjet e shiut kanë përmbytur rrugët e Beratit duke sjellë probleme si për kalimtarët edhe për bizneset. Ndërsa problemi i kanaleve kulluese ende nuk po gjen zgjidhje, mjaftojnë vetëm pak minuta shi që rrugët e qytetit të mbulohen nga uji, i cili këtë herë nuk ka kursyer as pedonalen.

Drejtuesit e bizneseve, kryesisht dyqaneve anës rrugëve, janë angazhuar personalisht për zhbllokimin e pusetave, por pavarësisht kësaj qyteti ka mbetur për disa orë nën pushtetin e ujit, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve por dhe personave, mes të cilëve shumë turistë vendas e të huaj.

Ndërhyrja e strukturave të bashkisë nuk ka munguar, por situata mbetet problematike për shkak të ndërtimeve mbi kolektorët dhe mosdisiplinimi i ujërave, të cilat erdhën nga përrenjtë e lagjeve të sipërme të qytetit.

Ndërkohë, largimi i ujërave lë si zakonisht llumin, duke bërë që qytetit, pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, të marrë një pamje tjetër.

Shumë është folur për sistemin e kanalizimeve parësor e dytësor, por zgjidhja duket ende larg dhe Berati vazhdon të përmbytet sa herë ka reshje shiu, edhe kur ato zgjasin për vetëm pak minuta./tch/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU