SHIFRAT/ Turizmi kulturor rritet me 65%, Shqipëria nuk ofron vetëm detin dhe malet

Nuk janë më vetëm bukuritë natyrore, ato që shtyjnë turistët e huaj që të vizitojnë vendin tonë. Sitet arkeologjike, kalatë dhe muzeumet kanë njohur këtë vit një rritje prej 65% të frekuentimit të tyre krahasuar me 2017-n, me pothuajse 550 mijë vizitorë në shtatë muajt e parë të vitit. Të dhënat zyrtare raportohen nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Rritjen më të madhe e kanë pasur muzeumet, ndikuar edhe nga hapja e një rrjeti të rinj muzesh në Tiranë, Korçë, Durrës dhe Shkodër, me 80%. Muzeumet të rinj, si “Bunkart 1 dhe 2”, “Shtëpia e Gjetheve”, Fototeka “Marubi”, Muzeu i Artit Mesjetar dhe ai Oriental në Korçë, apo Muzeu Arkeologjik i Durrësit janë shndërruar në “hite” të menjëhershëm midis turistëve të huaj.

Ndërkohë, sitet arkeologjike dhe kalatë, mbeten gjithashtu shumë në modë. Në muajin gusht, Parku i Butrintit vizitohet mesatarisht nga 1.500-2.000 persona në ditë, një rritje prej 47% krahasuar me një vit më parë, që ka rritur me 60% arkëtimet e parkut, krahasuar me vitin e shkuar.

Shifra të njëjta raportohen edhe nga Apolonia, Kalaja e Krujës, ajo e Beratit, etj. Në total, në shtatë muajt e parë të vitit, Shqipëria është vizituar nga 4,4 milionë të huaj, shumica dërrmuese e të cilëve turistë.

Projektimet zyrtare flasin se deri në fund të vitit, Shqipëria do të tërheqë 6,2 milionë turistë, të cilët do të kontribuojnë me 2 miliardë euro për ekonominë kombëtare. Në krahasim, në vitin 2017, Shqipëria tërhoqi 5,1 milionë turistë, të cilët sollën në vend 1,5 miliardë euro./lexo.al/ ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU