Sherri pë refugjatët, ministri për Merkelin: Me këtë grua s’mund të punoj!

Qeveria gjermane është sot para sfidash të mëdha, që kërcënojnë seriozisht koalicionin e arritur me shumë mundim.

Kancelarja Angela Merkel këmbëngul që çështja e refugjatëve të zgjidhet në marrëveshje me vendet e tjera, ndërsa ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, i shndërruar tashmë në kundërshtarin e saj më të madh, ka të tjera plane e thotë se “me këtë grua nuk mund të punojë”.

Çështja e emigrantëve është aktualisht temë kryesore në Berlin e Bruksel. Seehofer kërkon të mbyllë kufijtë për refugjatët, por nëse kjo ndodh – thekson “Deutsche Welle”, – vendet e Ballkanit mund të kenë probleme serioze me azilkërkuesit, shumica e të cilëve kalojnë pikërisht këtej.

Shqetësimi i ngritur ka çuar në Berlin ministrin e Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviç, i cili ka zhvilluar bisedime e thotë se është rënë dakord të ndihmohen vendet fqinje në Ballkan, në radhë të parë Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina.

“Investimi për sigurinë e këtyre vendeve ka një ndikim pozitiv edhe për Kroacinë dhe vendet e tjera të BE-së”, sqaroi Bozhinoviç.

Ditët e fundit është folur shpesh për krijimin e një pike të regjistrimit, një të ashtuquajture “hot-spot” jo vetëm në Afrikën e Veriut, por edhe në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Shqipëri. Situatën e rajonit mund ta vështirësojë sidomos marrja e drejtimit të BE-së nga Austria, e cila është flamurtare e mbrojtjes së suksesshme të kufijve të jashtëm.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU