Shëngjin/ Situatë alarmante nga zjarri, flakët i afrohen banesave. Banorët: Dëgjohen shpërthime

Dy vatra të reja zjarri janë shfaqur sot në Lezhë, në zonën e njohur si ‘Rana e Hedhur’. Mësohet se flakët janë duke u përhapur me shpejtësi si pasojë e erës së fortë, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit, pasi zona e banuar ndodhet vetëm 2-3 km larg. Po ashtu, bëhet e ditur se në zonën ku ka rënë zjarri janë dëgjuar shpërthime, ndërsa sipas banorëve mendohet se këto janë municione, pasi sipas tyre aty dikur ka qenë një Poligon Qitje.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e Zjarrfikëses, si dhe ato të ushtrisë, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit, ndërsa janë angazhuar 110 forca të FA. Sipas gazetarit Pjetër Gjini, situata është tepër e rëndë, pasi zjarri është në përmasa të mëdha, i favorizuar nga era e fortë. “Situata është jashtë kontrollit. Masivi pyjor është i përfshirë nga flakët. Zona në ‘Ranën e Hedhun’ është problematike, dhe një distancë 2-3 km i ndan nga zona e banuar”, pohoi gazetari i ‘News24’. Ndërkaq, Shemsi Prenci, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile tha se valaa e zjarrit po përhapet me shpejtës raporton BW.

Po ashtu, për parandalimin e ndonjë katastrofe, dy helikopter monitorojnë nga ajri dhe hedhin ujë nga lart, ndërsa kërkohen mjete të kapaciteteve më të mëdha. Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se kjo është një zjarrvënie e qëllimshme. Duke marrë shkas nga kjo situata, pushuesit janë gjendur në panik, ndërsa disa prej tyre nuk kanë nguruar dhe të lënë përgjysmë pushimet.

Ditën e djeshme, por edhe gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm një tjetër vatër zjarri rrezikoi jetën e banorëve në Shëngjin. Mësohet se shumë familje u evakuuan përgjatë natës, ndërsa vetëm sot në mëngjes ata kanë mundur të kthehen sërish në banesat e tyre. Për shuarjen e zjarrit është dashur ndërhyrja dhe nga ajri me një helikopter.

PREFEKTI NDRECA: SITUATA ËSHTË ALARMANTE
Prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca, i cili që prej pasdites së djeshme ndodhet në vatrat e zjarrit, për të monitoruar nga afër situatën, bëri të ditur se situata është alarmante. Sipas tij në terren ndodhen rreth 100 forca të ushtrisë.

ADMINISTRATORI I NJË HOTELI: ZJARRI PO AFROHET, PUSHUESIT KANË IKUR TË GJITHË
Administratori i një hoteli tek ‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin Ismet Ponari, deklaroi në një komunikim telefonik në “News24” se zjarri po u afrohet hoteleve, ndërsa pushuesit janë larguar të gjithë.

Sipas Ponarit, e vetmja gjë që mund të bëhet për momentin është lokalizimi i flakëve, që të mos digjen ndërtesat në zonë, pasi ndërhyrja në mal është shumë e vështirë.

Ndërkohë në mal vijojnë të dëgjohen shpërthime të forta. Sipas Ponarit, bëhet fjalë për predha të vjetra që ndodheshin në zonë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU