SHBA: Epoka e durimit strategjik me Korenë e Veriut ka përfunduar

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka vizituar Zonën e Demilitarizuar koreane dhe qytetin kufitar Panmunjom, ku ka thënë se “epoka e durimit strategjik” me Korenë e Veriut ka përfunduar.

Pence tha më 17 prill, se Uashingtoni dëshiron të veprojë për këtë çështje “përmes veprimeve paqësore dhe negociatave”.

“Por të gjitha opsionet janë në tavolinë, teksa ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me popullin jugkorean”, ka thënë Pence, gjatë vizitës së tij në fshatin Panmunjom, raporton rel.

Duke folur nga Shtëpia e Lirisë, disa metra nga vija ushtarake e demarkacionit, Pence tha se “banorët e Koresë së Veriut, ushtria verikoreane, nuk duhet të gabohen për vendosmërinë e SHBA-së për të qëndruar përkrah aleatëve”.

Vizita e Pence në kufirin në mes të Koresë së Jugut dhe Veriut, vjen në kohën kur tensionet në gadishull janë rritur pas programit bërthamor të Phenianit.

Një ditë më parë, Veriu dështoi të lansoi një raketë, e cila shpërtheu pothuajse menjëherë pasi u lëshua.

Nënpresidenti amerikan, Pence është në turneun e tij dhjetëditor në Azi.

Ai do të vizitojë aleatin kyç, Japoninë, shtet ky që po ashtu ka dënuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Më vonë gjatë ditës së sotme, Pence pritet të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit të Koresë së Jugut, Hwang Kyo-ahn

c.a

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU