Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, tha në rubrikën “Opinion” në News 24 se protestat e opozitës po cenojnë imazhin e vendit.
Sipas tij, në vend nuk ka protesta masive siç pretendon opozita e bashkuar, ndërsa shtoi se kriza politike ka ndikuar në përkeqësimin e biznesit.
Ministri Shalsi vuri në dukje se për shkak të mungesës së dialogut mes palëve politike, disa kompani të huaja kanë ndërprerë kontratat, e për pasojë janë anuluar edhe disa vizita turistësh që kishin zgjedhur të eksploronin Shqipërinë.
“Shqiptarët janë përpara disa ngjarjeve të rëndësishme. Kemi qershorin që koincidon me disa elemente të rëndësishme, njëra është se janë zgjedhjet lokale. Nuk ka qeveri që kënaq të gjithë popullin, një pjesë do të jetë i pakënaqur. Nuk kemi protestë masive popullore. Shqipëria është e vogël dhe shqiptarët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Shqiptarët i kanë parë dhe i kanë testuar, por madje kontrasti është i qartë. të gjithë e dinë se çfarë ndodhi me 21 janar. Vendi nuk është në kaos, por nuk mund ta mohojmë se këtu ka një krizë. Protestat po e cenojnë imazhin e vendit, por ndoshta kjo është beteja e fundit me ndarjen nga e kaluara dhe tranzicioni.
Ne kemi dëgjuar thirrjet dy vite më parë kur ish-kryeministri iu drejtua popullit për t’u armatosur. Kjo nuk është një gjuhë që e kërkojnë shqiptarët. Shëndeti i demokracisë kërkon që të ketë një opozitë të fortë. Sigurisht se edhe ne nuk jemi të qetë për sa kohë që po cenohet imazhin i Shqipërisë. Jemi të gatshëm të dialogojmë. Këta njerëz nuk përfaqësojnë më as popullin opozitar.
Është e sigurtë se vendi nuk mund të rrojë në demokraci pa një opozitë. Në historinë 15-vjecare kemi parë presidentë që e kanë mbështetur dhe më pas e kanë anatemuar. Opozita është e dobët dhe shoqëria prodhon instrumente të tjera. Në krye të kësaj partie është një figurë e maturuar. Kemi shumë histori të hidhura me këto partiçka të vogla, sepse nuk është folur për interesin e vendit, por për vende pune.Bëj vizita nëpër biznese. Komunikoj me dhomat e tregtive dhe është e vërtetë se kriza politike përkeqëson klimën e biznesit. Jemi duke ndjekur situatën dhe kemi disa kompani që kanë anuluar kontratat për të sjellë turistë”-tha Shalsi.
g.kosovari