Nga Ben Andoni/
Ka një kënaqësi cinike në Shqipëri për fqinjin grek, që është në një nga periudhat më të vështira të historisë së vet. Së fundmi, talljet shkojnë deri te Ministri i Jashtëm i tyre, që ka planifikuar një udhëtim në Tiranë në fund të muajit të ardhshëm për problemet mes dy vendeve tona.
Që Greqia sot po vuan politikat e saj, nuk është qëllimi i këtij artikulli, por që të tallesh në këto pozita ngjan pak qesharake pikërisht për atë që e drejton talljen. Në këtë rast, politikanë të vegjël shqiptarë, që bëjnë interesantin.
Historia ka treguar se përsëritet shpesh në Ballkan, shumë herë në momente negative dhe ne shqiptarët shpesh kemi qenë pjesë e fatit të keq, herë të diktuar, por më shumë e kemi futur veten në udhëkryqe të rrezikshme, pasojat e të cilave po i vuajmë ende. Nuk është rasti t’i përsërisim, por mbase mund të kujtojmë se në momentet e diktuara edhe Greqia s’ka qenë shumë fair me ne. Të mos shkojmë shumë por vetëm të kujtojmë vitin 1997 dhe Paktin Detar (Ku jemi dhe vetë fajtorë), atëherë bindesh se Ballkanasi kënaqet kur fqinji i tij ka probleme.
Anipse s’mund të harrojmë kurrë se Greqia ishte një nga vendet më dashamire që strehoi shqiptarët, kur ndërroi rregjimi dhe kur qytetarët tanë kaluan një nga periudhat më të vështira të jetës së tyre.
Larg këtyre, nga momentet e këqia të fqinjëve tanë në jug dhe në veri, veçmas talljes, mund të mësojmë disi sesi po i përballin situatat dhe si e përshfaqin dinjitetin kombëtar. Në rastin e Greqisë, megjithë situatën tejet të rëndë, fqinjët tanë nuk i janë lëshuar kaosit. Madje, besojnë se Evropa jo vetëm që nuk do t’i heqë por do t’i drejtojë në një udhë të negociueshme, që për ta momentalisht s’është e pranueshme.
“Nuk mendoj se plani i tyre është ta dëbojnë Greqinë nga Euro, por që t’i japin fund shpresave se mund të ketë politika të ndryshme në Evropë”, ka thënë kryeministri Alexis Tsipras në një intervistë, cituar edhe nga Reuters.
Edhe pse grekët ende nuk po bëhen të ndërgjegjshëm se e kanë sjellë vetë këtë situatë, interesante mbetet përballja e tyre me të ardhmen, kur janë të ndërgjegjshëm se do të paguajnë, por sipas planit të tyre! Mu kjo mbetet një pikë që duhet parë, por edhe duhet nxjerrë mësim.
Në këtë sfond, vizita e ministrit grek do të përmbajë kërkesa që janë të papranueshme për shqiptarët, por fakti që insiston për gjërat e vendit të vet edhe në këtë situatë të vështirë, tregon ndërgjegjen e një shteti që funksion gjithnjë si i tillë. Shqiptarëve u mbetet thjesht në këtë rast t’i trajtojnë me respekt dhe pa nëpërkëmbje, gjithnjë në nderim të kushtetutës dhe dinjitetit të tyre, që shpesh grekëve nuk u pëlqen.