Serbë e shqiptarë, një urrejtje pa fund mes dy popujve

Në emisionin “Most” (Ura) të Radio Europa e Lirë mbi raportet shqiptaro-serbe kanë diskutuar Rigels Halili, ligjërues në Universitetin e Varshavës, dhe Aleksandar Pavloviç, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Grazit. Një debat mbi stereotipat e përhershëm, keqkuptimet dhe kumbaritë mes dy popujve.

Së fundi në Beograd janë prezantuar rezultatet e hulumtimit në kuadër të projektit «Figura e armikut: rivlerësimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare». Shkencëtarë të rinj serbë dhe shqiptarë janë përpjekur të japin një pasqyrë tjetër të raporteve mes dy popujve, përtej klisheve, paragjykimeve dhe stereotipave. Në ekipin që ka përgatitur studimin kanë qenë edhe Rigels Halili, kulturolog dhe ligjërues në Universitetin e Varshavës, dhe Aleksandar Pavloviç, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Grazit. Lidhur me këtë temë në emisionin «Most» (Ura) të Radio Europa e Lirë kanë diskutuar Pavloviç dhe Halili. Në vijim po sjellim detajet më të rëndësishme nga bashkëbisedimi i tyre, i moderuar nga gazetari Omer Karabeg.

Cilat janë stereotipet më të shpeshta negative te serbët dhe shqiptarët?

Aleksandar Pavloviç: Te ne stereotipi kryesor është viktimizimi, domethënë serbët paskan qenë gjithmonë viktima të shqiptarëve. Të hiperbolizoj pak – në vetëdijen e shumë serbëve mbretëron besimi se shqiptarët edhe sot, edhe në të kaluarën, nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë menduar t’u bëjnë dëm serbëve.

Rigels Halili: Pak a shumë bëhet fjalë për paragjykime të njëjta. Te shqiptarët paragjykimi kryesor është se serbët përherë kanë qenë armiqtë tanë, se gjithmonë kanë vrarë shqiptarë, ndërsa shqiptarët përherë kanë qenë viktima.

Aleksandar Pavloviç: Shqiptarët në Serbi shikohen nga prizmi shumë negativ. Kjo është vazhdimësi të cilën mund ta përcjellim më shumë se 100 vite. Por nuk ka qenë përherë kështu. Stereotipat negativ për shqiptarët shfaqen në çerekun e fundit të shekullit të 19-të, pasi filloi kriza e madhe lindore, kur Serbia dëshironte të zgjerohej me territor në trevat që atëherë i takonin Perandorisë Osmane, sidomos në ato ku jetonin shqiptarët. Atëherë shqiptarët hynë në fokusin e perceptimit të intelektualëve serbë, idetë e tyre i pranoi shtypi, kështu që imazhi negativ për shqiptarët u përhap në popull.

Rigels Halili: Si shqiptar nga Shqipëria mund të them se duhet bërë dallimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse që nga viti 1948 në Shqipëri nuk ka më serbë. Për shqiptarët ekziston vetëm Jugosllavia dhe të gjithë popujt që jetojnë në atë vend janë jugosllavë. Natyrisht, përveç shqiptarëve që jetojnë në Kosovë. Gjatë kohës së komunizmit nuk kanë ekzistuar paragjykime ndaj serbëve, sepse me ta nuk kemi pasur asnjë kontakt. Shqipëria ishte tërësisht e izoluar, ndërsa Jugosllavia ishte terra incognita. Paragjykimet filluan pas vitit 1999, kur në Shqipëri u shfaq retorika nacionaliste për shkak të Kosovës dhe refugjatëve kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri në vitet 1999 dhe 1998. Ky ishte fillimi i valës së paragjykimeve ndaj serbëve. Por nga ana tjetër në Shkodër, në Tiranë dhe në qytetin tim të lindjes, në Gjirokastër, përherë kemi dëgjuar muzikën serbe, kemi ndjekur sportin serb, e kemi ditur cilët kanë qenë basketbollistët dhe futbollistët serbë, kështu që ekziston një këndvështrim pozitiv ndaj Serbisë. Kur para disa viteve Goran Bregoviqi dha koncert në Tiranë, qindra-mijëra njerëz erdhën në atë koncert. Askush nuk tha – ai është serb, por se ajo është muzikë e mirë, e jona, ballkanike. Bregoviqi atëherë mori çelësin e qytetit nga kryetari i Tiranës Edi Rama, i cili tani është kryeministër. Do të thosha se ky raport nuk është vetëm bardh e zi, aty ka edhe ngjyra të tjera.

Aleksandar Pavloviç: Nëse shikojmë poezinë epike popullore, aty përherë flitet me respekt për shqiptarët si trima të mëdhenj, luftëtarët serbë dhe shqiptarë respektojnë njëri-tjetrin, nganjëherë janë kumbarë, vëllazërohen. Nëse shkojmë më tutje në të kaluarën, në periudhën para formimit të kombeve – shohim se serbët dhe shqiptarët në këto hapësira kanë jetuar si fqinj që respektoheshin mes vete. Por nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të diskursi mbi lartësimin e kombit tënd bëhet mbizotërues në opinionin publik dhe ai karakterizon perceptimin e ndërsjellë të serbë dhe shqiptarëve. Në atë kohë në Serbi dominon tregimi për kombin serb të cilin e bashkon gjaku dhe trualli, flitet për armiqësinë mes serbëve dhe shqiptarëve, dhe heshtën marrëdhëniet e mira fqinjësore nga shekujt e kaluar. Mendoj se është me rëndësi të afirmohet tradita e cila është ndryshe – tradita e bashkëpunimit mes serbëve dhe shqiptarëve, tradita e marrëdhënieve miqësore. Do të përmendja këtu të majtën – serbe dhe jugosllave – e cila në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, në kulmin e fushatës më të madhe kundër shqiptarëve, u angazhua për respektimin e shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Krahas Dimitrije Tucoviqit dhe Kosta Novakoviqit do të përmendja edhe Radovan Zogoviqin, i cili ishte ardhacak malazez dhe i cili fliste me shumë respekt për shqiptarët. Natyrisht nuk duhet harruar edhe tërë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore kur u sforcua, ndonëse pa sukses, diskursi i vëllazërim-bashkimit në të cilin, krahas popujve të tjerë jugosllavë, ishin të kyçur deri-diku edhe shqiptarët. Në historinë dhe traditën tonë ka shumëçka për të treguar se perceptimi negativ jo përherë ka qenë aq i fuqishëm, po ashtu nuk ka qenë diskursi i vetëm në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.

Rigels Halili: Mendoj se problem i madh është që ne nuk e dimë si kanë qenë marrëdhëniet serbo-shqiptare gjatë historisë. Në fillim të shekullit të 17-të shqiptarët dhe serbët luftuan së bashku kundër turqve. Kjo dihet. Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të politikanët shqiptarë u përpoqën të krijojnë një aleancë mes shqiptarëve dhe serbëve. Ka provuar ta bëjë këtë Isa Boletini, por edhe Hasan Prishtina. Por politikanët e atëhershëm serbë nuk kanë pranuar se ekziston populli shqiptar dhe nuk kanë pranuar luftën e përbashkët. Disa thonë se arsye për këtë ishte qëndrimi kolonialist, por unë mendoj se bëhej fjalë për padituri. Ne sot i dimë faktet historike, por na duhet një interpretim i ri i tyre. Duhet ta shikojmë të kaluarën jo vetëm nga optika nacionale, por edhe në dimensionin lokal, rajonal, supranacional. Nëse do e bënim këtë, atëherë do të kishim një rrëfim tjetër – edhe sa i përket konflikteve në Kosovë, edhe kur bëhet fjalë për golgotën serbe të vitit 1915. Disa kanë provuar ta bëjnë këtë, siç është historiani britanik Noel Malcolm, por kjo nuk është punë për ta, kjo është punë për ne – historianët, kulturologët dhe shkencëtarët nga Shqipëria, Serbia dhe Kosova.

Sa përdoret në Serbi fjala «Šiptar», e cila ka konotacion negativ? Mediumet kryesisht nuk e përdorin, por sapo të ashpërsohen marrëdhëniet, menjëherë në ballina të gazetave shfaqen «Šiptari». Më kujtohet se një gazetë bulevardeske e Beogradit, pas incidentit që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, doli me ballinën «Edi Rama, Šiptar i paturpshëm».

Aleksandar Pavloviç: Në komunikimin publik, se paku atë medial, nuk ndeshemi shpesh me këtë fjalë. Por kur ashpërsohen marrëdhëniet serbo-shqiptare, atëherë jo rrallë ky nocion pezhorativ shfaqet në mediume dhe atë fillojnë ta përdorin edhe politikanët më radikalë. Sa i përket përdorimit të përditshëm, frikësohem se në rrugë kjo fjalë dëgjohet shpesh. Ata që e përdorin edhe vetë thonë se shqiptarët e quajnë vetën Ščiptar, por në Serbi kjo fjalë ka konotacion negativ dhe për këtë arsye nuk do të duhej të përdorej.

Sa e di unë, në gjuhën shqipe emërtimi përbuzës për serbët është shkije. Sa përdoret kjo fjalë në Kosovë dhe Shqipëri? A haset në mediume?

Rigels Halili: Kjo fjalë përdoret vetëm në Kosovë. Nuk do të thosha se haset në mediume. Shpesh mund ta hasni në forumet e internetit. Ne në Shqipëri themi vetëm serbët. Por edhe fjala serb ka konotacion negativ, sepse është e ndërlidhur me paragjykime. Është interesante se fjala jugosllav ka konotacion pozitiv. Kjo është mbase nostalgjia postjugosllave në Shqipëri. Kjo është ironi absolute.

Sa është e përhapur fjala shkije në Kosovë?

Rigles Halili: Dëgjohet në rrugë, në kafehane. Pleqtë thonë shkije, të rinjtë jo aq. Të rinjtë thonë serbë, thonë edhe shkije, por më shumë serbët, ndërsa në mediume përdoret vetëm fjala serbët.

Sa kanë ndikuar disa shkrimtarë serbë në përhapjen e paragjykimeve kundër shqiptarëve?

Aleksandar Pavloviç: Janë dy periudha shumë intensive të krijimit dhe distribuimit të paragjykimeve: koha në prag të luftërave ballkanike dhe vitet tetëdhjetë dhe fillimi i viteve nëntëdhjetë të shekullit 20-të. Në periudhën e parë në fillim të shekullit të 20-të mjeku dhe politikani i shquar Vladan Gjorgjeviq dhe tërë ekipi përreth tij kanë publikuar libra pseudoshkencore në të cilat dominonte perceptimi negativ për shqiptarët. Në vitet tetëdhjetë çështja e Kosovës bëhet shumë e rëndësishme mes akademikëve dhe shkrimtarëve. Në ish-Jugosllavi disa shkrimtarë kanë qenë jozyrtarisht të shpallur si etër të kombit, ndërsa të tjerët janë ndier të tillë. Disa i kanë dhënë mbështetje eksplicite apo implicite Millosheviqit dhe politikës së tij.

Kur i përmendët baballarët e kombit, a mendoni për Dobrica Çoshiçin?

Aleksandar Pavloviç: Dobrica Çoshiçi është figura më e rëndësishme këtu. Ai në vitet 70-të është veçuar e qëndrimin e tij mbi thellësinë e problemit kosovar dhe në vitet 80-të është bërë figurë prijëse intelektuale. Në interpretimin e Çoshiçit çështja e Kosovës shikohet si gjenocid shqiptar mbi serbët, si krim brutal i njëfarë zullumi turk i cili sërish po ndodh në Kosovë. Ky diskurs për Kosovën i disa intelektualëve serbë në vitet 80-të dhe 90-të ka pasur pasoja të tmerrshme për marrëdhëniet serbo-shqiptare të cilat i ndjejmë edhe sot.

A ka pasur tekste të ngjashme për serbët nga shkrimtarët shqiptarë?

Rigels Halili: Po. Sidomos në Kosovë, në vitet 70-të, 80-të dhe natyrisht në vitet 90-të. Do të përmendja shkrimtarin dhe akademikun Rexhep Qosja. Në veprat e këtyre shkrimtarëve ekziston figura e serbit si kriminel, si njeri që vetëm pret të vrasë dhe shkatërrojë gjithçka që është shqiptare. Në Shqipërie kemi Ismail Kadarenë, shkrimtarin më të madh shqiptar, i cili në vitet 80-të ka qenë mjaft i angazhuar në diskutimet për çështjen e Kosovës. Te ai serbi është hero negativ që shkatërron kulturën shqiptare. Në romanin «Dosja H» popi serb, i cili quhet Dushan, shkatërron zemrën e kulturës shqiptare, këngët epike.

A ka në librat shkollorë stereotipa për serbët?

Rigels Halili: Diskursi zyrtar në Kosovë është se serbët përherë kanë qenë armiqtë tanë. Këtë qartë e ka treguar kolegu Shkëlzen Gashi, i cili ka analizuar librat shkollorë shqiptarë dhe serbë. Rrëfimi është i njëjtë. Çfarë është çështje pozitive në librat shqiptarë, në ato serbe është negative. Dhe e kundërta. Rrëfimi është bardh e zi dhe nuk ka asgjë të përbashkët. Në librat shkollore periudha e ish-Jugosllavisë është prezantuar si okupim i Kosovës, gjë që nuk është në rregull dhe nuk është e vërtetë. Shqiptarët nuk kanë qenë të okupuar gjatë kohës së Jugosllavisë socialiste, por kanë qenë shtetas të barabartë të atij shteti. Këtë e dinë të gjithë, por prapëseprapë të rinjtë i mësojnë se ka qenë okupim dhe ka qenë gjenocid e kështu me radhë. Mbizotërues është tregimi negativ. Njëjtë është edhe me librat shkollorë serbë në të cilat shkruan se Shqipëria përherë ka qenë kundërshtare e Jugosllavisë dhe Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë.

Sa janë stereotipet negativë mbi shqiptarët të pranishëm në shkollat dhe librat shkollorë në Serbia?

Aleksandar Pavloviç: Kolegia Aleksandra Iliq dhe unë në disa tekste kemi analizuar librat shkollorë nga koha kur janë futur në përdorim në Serbi, domethënë në vitin 1882, deri në luftën e Dytë Botërore. Kemi ndjekur zhvillimin e shkallëshkallshëm të diskursit antishqiptar. Librat më të hershëm, të cilat në një mënyrë janë trashëgimi e traditës epike, flasin për shqiptarët e zemëruar, gjë që është figurë e poezisë popullore e cila, në të vërtetë. Domethënë se shqiptarët janë luftëtarë të regjur. Në thelb kjo është karakteristikë pozitive. Pastaj diskursi gjithnjë e më shumë zhvendoset nga ajo se shqiptarët janë shtypës të serbëve, se pas shpërnguljes së madhe të serbëve kanë qenë përgjegjës për krimet mbi serbët dhe kështu me radhë.

Periudhën më të re, siç tha Rigelsi, e ka analizuar kolegu Shkëlzen Gashi, i cili paralelisht ka shikuar librat shkollorë serbë dhe shqiptarë dhe ka treguar se ngjarja e njëjtë përshkruhet në mënyrë tërësisht diametrale, në librat e njërës palë me parashenjë pozitive, në librat e palës tjetër negativisht. Por nuk është problemi vetëm te librat shkollorë. Kam dhënë mësim në shkollë të mesme, jap mësim edhe në fakultet dhe jam bindur se shumë stereotipa negativ nxënësit dhe studentët i kapin jo vetëm nga librat shkollorë, por edhe nga mediumet, forumet e internetit, apo diku në hapësirën publike. Është vështirë të identifikohet se ku shfaqen të gjitha këto paragjykime. Andaj them se nuk mjafton të ndryshohen vetëm librat shkollorë. Duhet t’i japim fund të menduarit në kategori – ne përherë kem qenë viktima, kurrë nuk kemi qenë fajtor për asgjë dhe kurrë nuk kemi përgjegjës për asgjë. Mendoj se do të duhej të fillonim t’u tregojmë fëmijëve edhe tregime të tjera, ta zëmë se kur kemi pasur rastin jemi kujdesur të grabisim sa më shumë territore, se krimet nuk janë kryer vetëm ndaj nesh, por se edhe ne kemi kryer krime mbi fqinjët tanë. Duhet të fillojmë të shikojmë në mënyrë kritike ndaj të kaluarës sonë.

Në ç’masë politikanët e tanishëm në Kosovë dhe Serbi janë të ngarkuar nga paragjykimet për popullin tjetër?

Rigels Halili: Do të thosha se politikanët në Kosovë pajtohen me një gjë – që çështja e Kosovës është punë e kryer, që Kosova ekziston si shtet dhe Serbia duhet ta pranojë atë. Serbia shikohet si kundërshtar i përhershëm i cili është fajtor për të gjitha, gjë që nuk është e vërtetë. Nuk është Serbia fajtore për çdo të keqe që ndodh në Kosovë. Politikanët e Kosovës nuk janë të gatshëm për debat mbi atë se çfarë ka treguar historia e shekullit 20-të në Kosovë, çka domethënë ajo për shqiptarët dhe çka për serbët. Përse ka qenë kështu? Nuk ka diskutim. Ka ekzistuar vetëm trauma dhe tash thuhet se ky tregim ka marrë fund dhe nuk ka më traumë. Askush për traumën në flet në mënyrë autokritike, gjë që, sipas mendimit tim, është shumë me rëndësi për rindërtimin e jetës shoqërore. Ata që janë në pushtet në Kosovë kërkojnë dialog me Serë. Nuk e di nëse ky është vullneti i tyre apo këtë e bëjnë për shkak se kjo kërkohet nga Bashkimi Europian. Ata që janë në opozitë, si Lëvizja Vetëvendosje, thonë se politikanët që bisedojnë me Serbinë janë tradhtarë. Pajtohem me kolegun Aleksandrin – këto nuk janë vetëm çështje librash shkollorë, nuk bëhet fjalë vetëm për politikanët, është tregim më i komplikuar. Raportet tona duhet t’i përmirësojmë hap pas hapi, nëse duam të jetojmë në miqësi dhe paqe. Nëse jo, atëherë do të mbesim duke jetuar si dy fqinje që nuk duhen dhe mes të cilëve ekzistojnë vetëm muret – dhe asgjë tjetër.

Aleksandar Pavloviç: Më duket se tani për tani politika serbe ndaj Kosovës është relativisht realiste. Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama kanë vendosur një vizion të ri të bashkëpunimit, të cilin e pëlqen shumë Bashkimi Europian. Më duket se të dy e njohin mirë njëri-tjetrin. Të dy luajnë me kartën e popullizmit dhe disi më duket se janë mjaft komplementarë si liderë politikë. A ekzistojnë paragjykime? Mendoj se ekzistojnë te një pjesë e politikanëve serbë, por mendoj se kjo nuk luan rol të posaçëm për shkak se çështjet për të cilat zhvillohet dialogu janë mjaft të ngushta dhe formale, andaj nuk ka edhe aq hapësirë për riartikulim të politikës serbe ndaj Kosovës.

Cili është kushti kryesor për pajtimin mes dy popujve? Thuhet se zëvendësministri i punëve të jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka deklaruar se pajtimi do të ndodh kur dikush nga zyrtarët serbë do të kërkojë falje për krimet e kryera në vitet 1998 dhe 1999?

Rigels Halili: Do të thosha se kërkimfalja është kushti kryesor, por vetëm nëse është e sinqertë, jo e detyruar. Kërkimfalja është vlerë kur e ndjejmë nevojën ta shprehim, jo kur pala tjetër na thotë – duhet të kërkoni falje për atë që keni bërë. Ky është fillimi i pajtimit dhe këtë duhet ta bëjë një politikan i guximshëm. Kur bëhet fjalë për palën shqiptare, duhet të dalë ndonjë politikan i guximshëm shqiptar i Kosovës dhe të thotë – ja, këtë ua kemi bërë ne juve, ne kërkojmë falje dhe duam të jetojmë me ju në paqe. Këtë nuk do ta bëjë Edi Rama i cili nuk ka legjitimitet ta bëjë këtë në emër të shqiptarëve të Kosovës, sepse ai është kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, jo Kosovës. Natyrisht, edhe pala serbe duhet ta bëjë këtë, nuk dua të minimizojë përgjegjësinë e saj. Me këtë mund të fillojë procesi i pajtimit, pastaj hap pas hapi – të bëhet një libër, një film, pastaj diskutim, mandej edhe pala tjetër të shoh se edhe ne kemi bërë diçka, jo vetëm ata. Ky është një proces i gjatë, do të punojmë tërë jetën, Aleksandri dhe unë.

Aleksandar Pavloviç: Kërkimfalja gjithsesi është e nevojshme, por nuk është kusht i mjaftueshëm. Të jem i qartë: kërkimfalja për krimet e kryera duhet të jetë prerogativë etnike. Nuk mjafton të shprehet kërkimfalja në kuptimin – Willy Brandti derdh lot dhe menjëherë fillon pajtimi. Boris Tadiç ka pasur disa deklarata në të cilat i ka kërkuar falje kroatëve për krimet e kryera nga pala serbe. Kjo ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve serbo-kroate, por klima politike ka ndryshuar dhe tash kemi raporte më të këqija se para shtatë apo tetë viteve, gjë që është nonsens. (….)

Tema

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU