Sekuestrimi i 1 miliardë lekëve, i zoti u vra një vit më parë

Operacioni “Forca e Ligjit” ka çuar sot në sekuestrimin e rreth 1 milion euro llogari bankare të një shqiptari të vdekur tashmë, pasi u ekzekutua në tetor të vitit të kaluar në Greqi në kuadër të operacionit “Forca e ligjit”.

Ai është Roland Shëmbitrasi, i cili u vra në moshën 39-vjeçare më 8 tetor të vitit 2017 në lagjen “Glyfada” në Athinë. Pasuria e sekuestruar ishte vendosur në emër të familjarëve të tij.

Roland Shëmbitrasi me origjinë nga Korça prej vitesh ishte rezident në Greqi. Ai ishte i martuar dhe babai i dy vajzave të mitura. 39-vjeçari u ekzekutua në lokalin e natës Joy Bar nga persona të paidentifikuar.

I plagosur gjatë atentatit mbeti edhe një shqiptar tjetër i quajtur Gjergji Kapaj. Hetuesit grekë thanë atë kohë se ngjarja kishte lidhje me trafikun e drogës dhe dyshohet për larje hesapesh mes bandash. Roland Shëmbitrasi njihej edhe me nofkën Roni në lagjen Glydafa. Shëmbitrasi kishte qenë më herët në burg në Greqi.

Policia shqiptare tha sot zyrtarisht se pasuria është sekuestruar pas procedimit nr.443 të vitit 2017, bazuar edhe në shkëmbimin e informacioneve me partnerët dhe referoi materialet e para në Prokurori për fillimin e procedimit pasuror për shtetasin R.Sh. Në vijim u regjistrua edhe procedimi pasuror me nr.8, i vitit 2018.

Bazuar në materialet e dërguara nga Policia e Shtetit, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi sekuestro preventive për llogari bankare të shtetasit të lartpërmendur dhe familjarëve të tij.

Pranë një tjetër banke të nivelit të dytë, u bë ekzekutimi i vendimit të gjykatës për vendosjen e sekuestros së llogarive bankare në emër të shtetasve:
• K.Sh. në shumën 17.033.337 lekë;
• B.Sh. në shumën 924.922 lekë;
• R.Sh. në shumën 51.444.350 lekë.

Në total u sekuestrua shuma 111.402.609 lekë, të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të shtetasit R.Sh. në fushën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, në Greqi.

/Balkanweb/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU