Salman Rushdie: S’dua të jetoj më i fshehur!

Më 14 shkurtin e vitit 1989, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Khomeini bëri publikisht thirrje për vrasjen e shkrimtarit Salman Rushdie. Arsyeja ishte libri i shkruar prej tij, “Vargjet satanike”, që për klerikun iranian përbënte një fyerje të skajshme ndaj Islamit.

Përmes një të ashtuquajture “fatwa”, apo dekreti fetar, Khomeini i nxiti “myslimanët nëpër botë ta ekzekutonin autorin dhe botuesit e librit”, në mënyrë që askush tjetër “të mos guxonte më të fyente vlerat e shenjta të Islamit”.

Khomeini, asokohe 89 vjeç, shtoi se kushdo që vritej në përpjekjet për të zbatuar këtë dënim do të konsiderohej “martir” e do të shkonte në parajsë. Mbi kokën e shkrimtarit u vendos një shpërblim prej 2.8 milionë dollarësh.

Tri dekada më vonë, Rushdie është gjallë për të rrëfyer historinë e tij. Qeveria britanike i pati ofruar menjëherë mbrojtje policore, gjë që ishte ndihmesë e madhe. Por, për ateistin e lindur në Indi, nga prindër myslimanë jo praktikantë, jeta nuk do të ishte më njësoj.

Për gati 13 vite, ai u detyrua të lëvizte nga një shtëpi te tjetra, me pseudonimin Joseph Anton, e gjatë 6 muajve të parë ndërroi 56 banesa. Përkthyesin japonez ia vranë korrikun e vitit 1991. Disa ditë më vonë iu qëllua me thikë edhe përkthyesi italian, e pas dy vitesh, botuesi i tij norvegjez u qëllua me armë zjarri.

Në botën myslimane, libri shkaktoi indinjatë e protesta, por “fatwa” e lëshuar për Salman Rushdie u pa me tmerr në Perëndim, ku sot konsiderohet një hero i fjalës së lirë, ndërsa më në fund i ka lënë pas vitet e jetuara në hije.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU