Sabit Brokaj: Ku ndryshon qeverisja “Rama” me atë “Berisha”!

Dr. Sabit Brokaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend ku tregon edhe qëndrimin e tij. Në 5-vjetorin e qeverisjes socialiste nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ai ka dhënë një intervistë ku shpreh optikën e tij mbi atë çka po ndodh. Brokaj pranon se nën qeverisjen e majtë kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive përpara, por premtimet nuk janë mbajtur plotësisht. I pyetur lidhur me ndryshimet që kanë pasuar pas vitit 2013 ai thotë:

“– Jo. Unë nuk jam hiç dakord me opinione dhe krahasime të tilla. Sepse nuk mund të bëhet një krahasim i tillë. Janë dy gjëra krejt të kundërta dhe të pakrahasueshme.

Është e vërtetë që ne shqiptarët e kemi shumë të shprehur shpirtin e kundërshtimit. Mirëpo nuk duhet të harrojmë, apo duhet të kujtojmë se si e gjeti Tiranën dhe gjithë Shqipërinë Edi Rama në vitin 2013 kur erdhi për herë të parë në pushtet. Ndryshimet janë shumë të mëdha, jo vetëm në Tiranë po në të gjitha qendrat urbane.

U pëlqen apo nuk u pëlqen disave, Edi Rama i bëri këto punë. Si të mos e pohojmë këtë fakt? E pra, në analizën time unë nuk e krahasoj Edi Ramën me Sali Berishën. Unë krahasoj Edin me Edin, pra me ato që ka premtuar dhe ato që ka bërë në këto pesë vite. Ata që e kritikojnë Ramën skajshmërisht bëjnë sikur harrojnë se si ka qenë Tirana në kohën e Saliut. Harrojnë kioskat, harrojnë parkun Rinia, harrojnë Lanën dhe gjithë shëmtinë që Saliu mbolli anembanë vendit.

E, Rama i fshiu dhe po i fshin përditë nga faqja e dheut këto shëmtira, si kur ishte kryetar bashkie i Tiranës dhe tani që është kryeministër, po përpiqet të bëjë më të mirën, po e fut vendin në normalitet. Asnjëherë nuk kanë për të munguar nihislistët dhe kritizerët e sëmurë, mirëpo njerëzit me mend në kokë i shikojnë këto gjëra dhe kur vjen dita e votimit shkojnë dhe votojnë…” nënvizon Brokaj në Dita.

Ndërkohë, ai tregon edhe arsyet se pse mbështet qeverinë “Rama”.

“– Natyrisht që e mbështes. E kritikoj se duhet të bëhet më e mirë qeverisja, sepse boll kanë vuajtur shqiptarët. Kanë kaluar afro 30 vjet nga përmbysja e regjimit komunist dhe shqiptarët kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë, kanë pësuar gjema të papara e të padëgjuara ndonjëherë si në vitinm 1997…

Por mendoni ju lutem se si e gjeti këtë shtet Edi Rama. Ai gjeti një shtet dhe një administratë krejtësisht të rrënuar, të shkatërruar dhe nuk e kishte aspak të lehtë vënien në punë të mekanizmave të këtij shteti. Ka bërë edhe gabime, natyrisht, por Edi e vuri shtetin në funksionim. Kjo është e rëndësishme të thuhet.

Kritikat që i bëhen ai duhet t’i marrë seriozisht për ta bërë më efikase qeverisjen. Ai e nisi nga hiçi,madje nën kuotën zero dhe ka arritur një optimum normal dhe madje të kënaqshëm në shumë aspekte. Pra, duhet ta kritikojmë këtë qeveri për ato që nuk ka bërë ose që i ka bërë keq, por duhet t’ia themi edhe të mirat, ato që ka bërë me përkushtim dhe që i pranon shumica e qytetarëve.

Mjafton të themi se fitorja e socialistëve një vit më parë ishte më e thellë se ajo e 2013-s. Po të mos ecte në rrugën dhe kahun pozitiv, shqiptarët nuk do ta votonin në shumicë Edi Ramën. Kjo prirje mua më duket pozitive dhe me atë gjendje katastrofike dhe mjaft dëshpëruese që shikoj në kampin opozitar, mendoj se edhe në zgjedhjet e ardhshme e majta ka për të fituar edhe më thellë.

Por kjo mbështetje Edi Ramën duhet ta motivojë për t’i bërë gjërat më mirë se deri tani dhe jo të vazhdojë me kokëfortësi të thellojë gabimet në ato fusha ku duket që larg se punët nuk po ecin ashtu si duhet”, shprehet Brokaj.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU