Sabit Brokaj: Berisha shoqëroi vajzën e Ramizit në Paris, i besuar i Xhelil Gjonit në protesta

Sabit Brokaj, në parathënien e librit të gazetarit Xhevdet Shehu për rrëfimet e Izet Haxhisë, ka zbuluar detaje të panjohura më parë mbi raportin midis Ramiz Alisë dhe Sali Berishës.

Është krijuar ideja se zgjedhja e Berishës nga Ramiz Alia si i dërguar te studentët e dhjetorit ishte e rastësishme dhe se ata nuk kanë patur njohje përpara lëvizjes së dhjetorit, shkruan Dita.

Brokaj e rrëzon këtë teori, duke shkruar:

“Ramiz Alia ka thënë se e çoi Berishën të studentët se ishte nga Tropoja, se në protestë kishte mjaft studentë nga ajo krahinë. I ndodhur në pozitë të vështirë nga bëmat e Saliut, ai justifikohet se nuk e njihte më parë.

Por Ramiz Alia nuk ishte plotësisht i sinqertë. Ai e njihte Berishën të paktën prej vitit 1978. Në Klinikën Speciale ku Ramiz Alia vinte të vizitonte Hysni Kapon, personi që i dilte përpara per ta informuar mbi gjendjen e të sëmurit zakonisht ishte Berisha.

Në 1979 kur Alia erdhi në Paris për të qenë pranë Hysni Kapos si i dërguar i udhëheqjes, me të erdhi dhe vajza e tij, që ndërkohe kreu disa konsulta mjeksore. Shoqëruesi i saj për pothuajse një muaj ishte pikërisht Saliu. Është e pamundur që cilido baba të mos njohë paraprakisht shoqëruesin e vajzës në një vend të huaj”.

Brokaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë më 1990, tregon edhe një detaj tjetër nga ditët e protestave të dhjetorit të atij viti.

“Në ditën e protestave, çdo natë dekanët e fakulteteve thirreshin në rektorat lidhur me zhvillimin e protestave. Në një nga këto takime erdhi sekretari i K.Q. Xhelil Gjoni. Midis porosive qe ai dha ishte “dergimi pranë fakulteteve i disa autoriteteve të partise, të cilet do të ndihmonin punën e Partisë”, u tha aty. E filloi me Fakultetin e Ekonomisë, mirëpo dekani Prof. A. Grazhdani refuzoi personin e rekomanduar, pasi ai nuk ishte pritur mirë nga studentët. Së fundi i erdhi radha Fakultetit të Mjekesisë. – Juve e kontrolloni situatën tha Xh. Gjoni, megjithatë do t’i themi Saliut t’ju ndihmojë. Pra Saliu ishte ndihmësi i rekomanduar nga udhëheqja e PP. Unë i thashë që fakulteti ka të tjerë që kanë më shumë autoritet dhe mirëpriten më mirë nga studentët. Në pushim, para se të largohej, Xhelili më thotë: – Po ti ç’pate ashtu? Unë që e njihja situatën i thashë: Lerini lojrat me Saliun…”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU