Sa kushton ‘Unaza e Re’? Përballja e shifrave mes ARRSH dhe opozitës

Përveç se për shembjen e shtëpive, përplasja e opozitës me qeverinë për rikonstruksionin e segmentit të Unazës së re nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi “Shqiponja” po zhvillohet edhe për kostot e projektit. Lulzim Basha ka denoncuar disa here çmimin e tenderimit.

“Vjedhje rekord prej 40 milionë eurosh apo 2 mijë euro për centimetër të këtij segmenti prej 2 kilometrash”, shprehet Basha.

Por sipas drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, kostot janë më të ulëta se segmentet e Unazës të ndërtuara nga qeveritë e Partisë Demokratike. Ai thotë duke marrë parasysh rrugët dytësore dhe veprat e artit çmimet janë më të ulëta.

“Kosto e Partisë Demokratike në atë kohë janë 14,12 milionë euro për kilometër. Kostot e sotme janë 12,95 milionë euro për kilometër”, u shpreh ai. Qendro shton se projekti nga sheshi “Shkolla Teknologjike tek “Sheshi Shqiponja” nuk ka reflektuar as kuotat e rritura në manualin shtetëror të çmimeve të ndërtimit në 6 vitet e fundit.

“Rritjet e çmimeve në manualin shtetëror të çmimeve nga viti 2012 deri ne 2018 ka një rritje reale prej 30 përqindësh që do të thotë duhet të kishin një rritje prej 30 përqind më tepër në këtë projekt, nga ana tjetër strukturat inxhinjerike të ndërtuara këtu nuk janë të thjeshta, janë të vështira nga ana inxhinjerike”, sqaron Qendro.

Ndërkohë opozita insiston fort se kemi të bëjmë me vjedhje, pasi sipas Bashës po shpenzohen 40 milionë euro për një rrugë ekzistuese.

“Si ndryshe mund të shpjegohet që për 2 km në një unazë ekzistuese, në një rrugë ekzistuese të kryeqytetit do të harxhohet një shumë rekord për Europën e ndoshta dhe për SHBA ku çmimet e autostradave variojnë nga 5 deri 8 herë më të lira se çmimi i unazës së re”, tha Basha.

Përtej debateve e gjithë unaza e madhe e Tiranes, rreth 20 kilometra gjithsej, me segmentet e ndërtuara dhe ato të pandërtuara do t’i kushtojë xhepave të taksapaguesve shqiptare rreth 210 milionë euro. Ndërkohë që nga nisja e nderimit ka kaluar më shumë se një dekadë dhe disa mandate qeverisëse të forcave të ndryshme politike.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU