Sa e dëmton memorien përdorimi i kompjuterit
Njerëzit po u besojnë më shumë kompjuterave sesa kujtesës. Sipas një studimi, të kryer nga “Kapersky Lab”, një kompani e sigurisë kibernetike, shumë persona që mbajnë mend numra telefoni nga fëmijëria e tyre tani, nuk kujtojnë as atë të njeriut të tij më të afërt.
Ky është përfundimi i një studimi, pas vëzhgimit të 6000 personave në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg.
Më shumë se një e treta e tyre, kur duan të kujtojnë informacionin, kthehen nga kompjuterat ose hapin celularët.
Maria Wimber, e Universitetit të Birmingamit tha se, gjetja e informacionit parandalon krijimin e kujtesës afatgjatë.
Britania e Madhe, siç raporton BBC, ka numrin më të lartë, më shumë se gjysmën e personave e kërkon online çdo përgjigje.
Sipas studimit, pikërisht kjo marrëdhenie besnike me kompjuterin ka një ndikim afatgjatë në zhvillimin e kujtesave, sepse ky informacion, aq shpejt sa merret, po njësoj harrohet.
“Truri ynë e forcon kujtesën aq herë sa kujton diçka dhe në të njëjtën kohë eleminon kujtime të parëndësishme”, tha Dr Wimber.
Sipas saj, procesi i të kujtuarit të informacionit është shumë i rëndësishëm për të patur një memorie të perhershme. E kundërta ndodh nëse e përsërisim informacionin në mënyrë pasive, duke e parë gjithnjë e më shumë në internet.
Studimi i Kaperskyt tregon se njerëzit gjithnjë e më shumë po mësohen me përdorimin e kompjuterave, duke i konsideruar si një zgjatim të trurit të tyre.
Studimi flet edhe për “amnezinë dixhitale”, ose harresën e informacioneve të rëndësishme, nga siguria se ato mund të gjenden sërish online.