Rrugët, prova materiale e dështimit shqiptar

 

Nga Skënder Minxhozi/

Në mes të zgjedhjeve periferike të bashkisë së Dibrës, ka hyrë edhe një herë fuqishëm debati për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Është fjala për atë segment prej diçka më shumë se 70 kilometrash, që do të lidhë direkt Tiranën me zonën e Klosit, Dibrës e më tej me Maqedoninë. Një projekt i cili ka nisur të diskutohet konkretisht rreth dhjetë vjet më parë. Pra, pak pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur socialistët ja lanë vendin në qeverisje demokratëve.

Megjithatë edhe sot, kur demokratët erdhën e ikën dhe kur e majta e rikthyer në 2013 dhe po bëhet gati të mbyllë mandatin e saj të parë në krye të vendit, rruga e Arbrit vetëm sa ka prishur bukuritë natyrore të Malësisë së Tiranës, duke hedhur vetëm pak kilometra trase të pashtruar e plot pluhur, e cila nuk i shërben thuajse askujt. Klosi, Bulqiza dhe Dibra duhet ende të presin, megjithë premtimin e rradhës të kryeministrit Rama, për të mos dalë nga zyra pa e bërë realitet këtë projekt.

Fraza të ngjashme me Ramën ka thënë në të shkuarën edhe Berisha për Rrugën e Arbrit. Madje ai ka konsumuar plot retorikë patriotike, si edhe për Rrugën e Kombit, duke u munduar të mos e fshehë aspak përkatësinë e tij krahinore, përballë dibranëve. Ndërkohë pasardhësi i tij Basha tha dje në krah të kandidatit Shehu se ky projekt qe premtimi i pambajtur i të djathtës, që ai do të angazhohet ta realizojë sa më shpejt.

Precedenti i rrugës së Arbrit shënon një rast klasik të zvarritjes skandaloze të projekteve të infrastrukturës, nga të gjitha qeverisjet në Shqipëri. Duket sikur rrugët janë në fakt etaloni i paaftësisë dhe performancës tejet të ulët të klasës tonë politike, për të identifikuar e zgjidhur problemet prioritare që vendi ka pasur në 25 vitet e fundit. Rruga e Arbrit shtrihet jo vetëm nëpër disa qarqe, zona administrative, male, pyje e kodra, por edhe në disa qeverisje. E njëjta gjë vlen për shembull, edhe për rrugën Lin-Pogradec. Një projekt ky ndoshta edhe më skandaloz në ngadalësinë me të cilin po trajtohet. Historia e 21 kilometrave rrugë që ndajnë fshatin piktoresk të Linit, me qytetin e Pogradecit, shënon një tjetër provë të paaftësisë me të cilën qeveritë e kanë konsideruar jo vetëm këtë segment rrugor, por bashkë me të edhe peshën e rëndësinë ekonomike që kanë qytete si Korça e Pogradeci, pa harruar pikën dalëse për në Greqi, Kapshticën, apo edhe zona të tilla turistike si Voskopoja, Dardha, Tushemishti etj.

Të shkosh sot në Pogradec, gjashtë vjet pasi kjo rrugë ka nisur të ndërtohet, e të vëresh se kilometri i fundit para hyrjes në qytet vijon të jetë një kantier i rrëmujshëm plot pluhur, baltë e gurë, do të thotë thjeshtë të dëshpërohesh për ritmet zvarranike me të cilën është trajtuar kjo copë Shqipërie. Pa folur më pas për daljen nga Pogradeci, që të çon në Korçë, e cila ngjan më shumë me një shteg të shpartalluar, sesa me një degëzim urban mes dy qytetesh plot histori, kulturë e pasion për punën dhe jetën.

Shihni rrugët dhe do të prekni me dorë dështimin shqiptar. Shihni rrugët dhe do të kuptoni që koha shqiptare ecën ngadalë. Paçka se fjala e urtë thotë se koha është më e vyer se ari. Paçka se orët, ditët e vitet njerëzore ikin e nuk vijnë më. Në 25 vjetët e fundit Shqipëria është përballur me adoptimin dhe modernizimin total të rrjetit të saj rrugor. Sot, në vitin 2016 dimë se kjo punë është kryer “shqiptarçe”, si gjithçka tjetër në këtë vend. Për të mos folur për hekurudhat, të cilat sot janë një kujtim i zbehtë në bardh e zi i të shkuarës, duke u kafshuar pa mëshirë nga hienat e tregëtisë së skrapit e duke u lënë krejt në harresë nga shteti. Është një tablo që na del para syve sa herë dalim nga shtëpitë, për të udhëtuar nëpër atdheun tonë ku një copë asfalt mund të kërkojë të shtrohet, sa një gjysëm jete njerëzore.

1 koment

  1. Ministria transporteve deshtim I plote I qeverisjes se Rilindjes dhe kjo me koncensionet e Rames mund te kene kosto te madhe por cfar faji kane socialistet

PËRGJIGJU