“Rrëzohen” kuqezinjtë, Skocia triumfon me rezultatin 2-0

Kuqezinjtë janë “mbytur” mbrëmjen e të hënës në Skoci, nga shiu i rrëmbyeshëm, por mbi të gjitha përballë presionit dhe ofensivës së vendasve. Shqipëria u mund nga Skocia me rezultatin 2-0 në raundin e dytë të vlefshëm për Grupin 1, të Ligës C, në turneun e Ligës së Kombeve. Një disfatë që u vendos nga një autogol i Gjimshitit në minutën e 47’ nën presionin e Naismith dhe nga një gabim fatal i Strakoshës në të 68’ që i kushtoi kuqezinjve golin e dytë. Ndërkohë, është e pamohueshme që veç disa rasteve sporadike në kundërsulm të shpërdoruara nga Shqipëria, e gjithë ndeshja ka folur në favor të Skocisë, që mund të kishte fituar me një rezultat shumë herë më të thellë.

Vërshëllima e parë e takimit ka mjaftuar që Skocia të imponohet plotësisht në gjysmëfushën e Shqipërisë, me kuqezinjtë të impenjuar plotësisht në ndalimin dhe neutralizimin e ofensivës së vazhdueshme të vendasve. Në të 24’ është shtylla e djathtë ajo që i vjen në ndihmë Strakoshës dhe shpëton Shqipërinë nga një gol i shpejtë që do të kishte për autor Naismith. I njëjti protagonist ka dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Strakosha në të 41’, por anësori ka sinjalizuar për pozicion të parregullt. Shqipëria reagon me Memushaj që në të 42’ ka një rast të artë, kur në kundërsulm, në hyrje të zonës së Skocisë ka goditur, por topi përfundon jashtë kuadratit.

Ende pa nisur mirë pjesa e dytë, Skocia ka tronditur kuqezinjtë me autogolin e Gjimshitit me kokë, nen presionin e Naismith. Reagimi i kuqezinjve është me Balaj që i vetëm përballë portierit, dërgon topin jashtë portës së Skocisë. Sulmuesi shkodran është sërish protagonist në të 50’, kur dorëzon në duart e portierit kundërshtar një top të artë të shërbyer nga Xhaka. Të panumërta janë rastet e përfaqësueses së Skocisë në zonën kuqezi, për të kulmuar në të 59’ me rastin e McGregor që nën presionin e Veselit nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë. Në të 66’ Balaj ka shanset të minimizojë humbjen, kur topin e asistuar nga Ndoj e dërgon mbi traversë. Kuqezinjtë arrijnë të menaxhojnë situatën në gjysmëfushën e tyre, për të mos pësuar një gol të tretë, por ndërkohë duket se i janë dorëzuar humbjes së sigluar që në minutën e 68’.

Skoci-Shqipëri 2-0

Shënues: Gjimshiti 47’ (ag), 68’

Skoci: McGregor, O’Donnell, Souttar, Mulgrew, Tierney, Robertson, McGinn, McDonald, McGregor, Russell, Naismith.

Shqipëri: Strakosha, Hysaj, Veseli, Gjimshiti, Binaku, Lilaj, Xhaka, Memushaj, Ndoj, Balaj, Gavazaj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU