Rreth paralajmërimit të presidentit Vuçiç për zgjidhjen përfundimtare

Nga Veton Surroi

Me shkrimin e fundit të presidentit Vuçiq, kjo bëhet hera e tretë brenda njëzet vjetësh që dëgjoj nga prijësit e Serbisë nevojën që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, pra e përhershme, për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

Herën e parë, pas pothuajse një dhjetëvjetëshi dhune ndaj qytetarëve të Kosovës, e tha Slobodan Milosheviqi, ndonëse me formulimin se duhet gjetur zgjidhjen brenda Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, kur dështuan të gjitha përpjekjet për gjetjen e “zgjidhjeve praktike që do të lehtësonin jetën e qytetarëve”, sikur ishte Marrëveshja e dështuar për Arsim e San Egidios (ku u shpenzuan pesë vjet), Milosheviqi pranoi se duhej gjetur një “zgjidhje të gjithëmbarshme”. Atëherë kishte filluar tashmë lufta dhe jo pak prijës ndërkombëtarë deklaronin se ndoshta kësaj here duhej biseduar me Milosheviqin me gjuhën e vetme që e kupton, forcën.

Nuk u gjet një “zgjidhje e gjithëmbarshme” që, me gjithë shumë kompromise nga ana e delegacionit të Kosovës, të kënaqte vizionin e Milosheviqit për një zgjidhje të gjithëmbarshme. Zgjidhja në Rambouillet e përjashtonte shtetin e Serbisë nga Kosova pas tre vjetësh, dhe një gjë e tillë nuk ishte e kënaqshme për Milosheviqin.

Pas çlirimit të Kosovës, herën e dytë u tha nga kryeministri Gjingjiq. Formulimi i tij ishte më i thjeshtë se i Milosheviqit dhe përmblidhej pak a shumë në kërkesën që Serbia të marrë një copë territori të Kosovës të banuar me serbë dhe të mos çajë më kokën me Kosovën. Kryeministri Gjingjiq nuk arriti ta formulojë në hollësi planin e tij për ndarjen e Kosovës, sepse u vra nga një snajperist, serb i Pejës, që kishte ushtruar gjuajtje në mish të gjallë kroatësh, myslimanësh e shqiptarësh si pjesëtar i njësiteve speciale të Arkanit, rrjedhimisht të shtetit të Serbisë.

Paralajmërimi i presidentit Vuçiq, që i ka fillesat e një platforme, vë theksin tek një pikë që nuk është bërë deri më tani – zgjidhjen e përhershme të konfliktit, një që nuk bëhet me insistimin qorr tek suazat e “Autonomisë së Kosmetit” e as një që do të vendosë me të shpejtë kufirin e ri etnik mes shqiptarëve e serbëve.

Pra, nëse do vlerësuar me një fjali se çfarë është porosia e letrës së Vuçiqit atëherë është “e tash, seriozisht”, do të thotë se tash më në fund Serbia duhet të ulet dhe të arrijë një marrëveshje të përhershme me Kosovën.

2.

Platforma “e tash, seriozisht” ka potencial të madh pozitiv. Fillimisht ngase është shprehje kulmore pas përpjekjeve të pamjaftueshme apo të dështuara për të trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë – gjegjësisht konfliktin e pambaruar mes Kosovës dhe Serbisë – rrjedhimisht theksim i nevojës që të arrihet një paqe e qëndrueshme në regjion. Pastaj, është e një rëndësie të madhe ngase vjen në një moment kur presidenti Vuçiq përfaqëson shumicën dërrmuese të vullnetit politik të Serbisë.

Një gjendje e këtillë, sa i përket vullnetit politik, ka ekzistuar me Milosheviqin, por dallimi është kësaj here substancial. Milosheviqi angazhohej për një gjendje të përhershme të dominimit, pra një platformë lufte ku çdo gjë do t’i nënshtrohej premisës themelore se “Kosova është Serbi”. Vuçiqi që në fillim kërkon një gjendje paqeje të përhershme, e cila do të inkuadronte në të, pak a shumë në vija të trasha realitetin e pavarësisë së krijuar nga shqiptarët e bashkësia ndërkombëtare nga njëra anë dhe interesat serbe nga ana tjetër.

Dhe këtu ndoshta do të jetë momenti kthesë i platformës “e tash, seriozisht”, definimi i interesit serb. Në tërë shekullin XX, shteti serb ka pasur si pikënisje të interesit serb dominimin mbi Kosovën dhe shqiptarët. Kjo platformë humbi ushtarakisht më 1999, por jo edhe politikisht deri më sot dhe kjo është njëra prej arsyeve pse konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka mbaruar. Pas njëzet vjet negociatash, të filluara edhe atëherë seriozisht në Rambouillet, ka ardhur koha të definohet se çka është me të vërtetë interesi serb jashtë formulës së dështuar të dominimit.

3.

Por, platforma “e tash, seriozisht” do të jetë sfiduese së paku në dy pika madhore.

E para pikë është tërë realiteti i ndërlikuar juridik e politik që është krijuar në jetë e negociata e që, siç shihet, ishin pjesë e platformës “nuk e kemi seriozisht”. Prej vitit 1999 e këtej, përfaqësuesit e shumicës shqiptare janë angazhuar në veprime të një lavjerrësi ekstremizmash karshi serbëve.

Në të përfunduar lufta, u organizua një fushatë e dëbimit të serbëve nga disa vise të Kosovës – herë pse ishin serbë, herë pse kishin prona, herë për të dyja shkaqet së bashku. Më 2004, po ashtu, u krijua një dhunë e organizuar ndaj serbëve, që herë kishte qëllim shfryrjen e pakënaqësive e herë krijimin e tregut të lirë të patundshmërive, siç është rasti me Çagllavicën.

Në anën tjetër të lavjerrësit, përfaqësuesit e shumicës shqiptare bënë kompromise edhe pa negociata. Në Kornizën kushtetuese (që më vonë u bë Kushtetutë) pranuan që serbët të jenë detyrimisht pjesë e Qeverisë – dhe Kosova kështu u bë vendi unikat ku kualifikimi i vetëm i nevojshëm për ministër është përkatësia etnike, serbe. Dhe pa filluar negociatat u krijua parimi etnik i decentralizimit, me formimin e komunave të reja serbe (në mënyrë që pas disa vjetëve të kërkohet centralizimi etnik, pra grupimi i komunave serbe).

Prej se filluan negociatat me platformën “nuk e kemi seriozisht”, përfaqësuesit e Kosovës jo vetëm se kanë pranuar parimin se Serbia do ta ketë fjalën e vet prej hisedari në Kosovë, por pranuan një zgjidhje të re të pushtetit të tretë, me Bashkësinë e Komunave Serbe, që u ndal nga protestat e opozitës së atëhershme dhe falë tyre edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në këto njëzet vjet që Serbia nuk e ka pasur seriozisht, Kosova ka bërë lëshime në strukturën e vet shtetërore deri në kufijtë ekstrem të funksionalitetit. Dhe sfida që paraqitet në momentin kur Serbia “e ka seriozisht” është se çka të bëhet me tërë ato koncesione të bëra deri tani? Sepse, nuk do mend, çfarëdo negociate e ardhshme prapë do të kërkojë që, siç thotë dhe vetë presidenti serb, të bëhen kompromise.

4.

Pika e dytë sfiduese do të jenë përfaqësuesit e shumicës në Kosovë. Prej vitit 2008 e këtej, nga shpallja e pavarësisë janë angazhuar në një proces të gabuar (të pamjaftueshëm, të dëmshëm, të pamenduar mirë – çfarëdo që të jetë cilësimi). Kanë shpenzuar kohë, vullnet, para e përkrahje ndërkombëtare për një projekt i cili u ndërtua si mohim urgjent i Serbisë ndaj mendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është brenda së drejtës ndërkombëtare.

Tash, kur Serbia “e ka seriozisht”, Kosova zyrtare nuk mund të sillet sikur fëmija në lojë e të thotë “e, tash unë nuk dua”. Këtë nuk mund ta bëjë ngase deri më sot nuk i ka shpjeguar as vetes e as të tjerëve se në çfarë procesi joserioz ka qenë e përfshirë. Por, madje edhe po ta kishte bërë, gjithsesi është interes i Kosovës që të hyjë në një proces ku vihet në tryezë i tërë spektri i problemeve të hapura me Serbinë. Për ta bërë këtë, Prishtina zyrtare duhet të ulet dhe të analizojë veprimet e veta, së paku nga çlirimi deri më sot, të konstatojë dështimet dhe të krijojë një platformë të re.

Platforma e re duhet të strukturojë të tri rrafshet e problemeve që Kosova ka me Serbinë: të kaluarën (pasojat e okupimit dhe të luftës), të tanishmen (sulmin konsistent ndaj funksionimit të shtetit të Kosovës dhe përfaqësimit të tij ndërkombëtar) dhe të ardhmen (integrimin në hapësirën Atlantike dhe në atë Evropiane). Alternativa ndaj këtij lloj strukturimi është procesi pesëvjeçar i “letërngjitësit”, të debatit të kotë mbi targat automobilistike.

Dhe, natyrisht, platforma e re ka dy parakushte: njerëz të rinj dhe përkrahje të dukshme te shumica shqiptare.

5.

Ftesa e presidentit serb, për një veprim “e tash, seriozisht” ndoshta mund të ketë efekt pozitiv edhe te bashkësia ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja mund të kontribuojnë shumë në një proces të ri negociator. Posaçërisht nëse vendosin edhe vetë të jenë të përfshira “tash, seriozisht”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU