Rrëmbejnë 15-vjeçaren dhe i kërcënojnë nënën, tre në pranga e dy në kërkim në Bulqizë

Tre persona janë vënë në pranga e policisë së Bulqizës, të dyshuar për rrëmbimin e një vajze të mitur, dhe kanosjen e prindërve të saj.

Të arrestuarit janë Dorjan Totraku, 29 vjeç, Izmir Gjetani, 24 vjeç dhe Idriz Gjetani, 20 vjeç, të tre banues në Bulqizë, të cilët u vunë në pranga këtë të enjte.

Gjithashtu u shpallën në kërkim F.Totraku, 30 vjeç, i dënuar më pare për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe E.D., 21 vjeç, banues në Bulqizë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kanosur për të tërhequr kallëzimin nga policia shtetasen H.K., pasi gruaja më 5 shtator, ka bërë kallëzim se në orët e mbrëmjes në banesën e saj kanë ardhur shtetasit F.Totraku, dhe E.D., ku dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri, kanë kërcënuar familjarët që ndodheshin në banesë, dhe më pas janë larguar së bashku me shtetasen M.K., 15 vjeçe.

Nga deklarimet e nënës së vajzës H.K., dyshohet se mitura M.K., ka patur lidhje me F.Totrakun dhe mendohet se ka ikur me dëshirë.

Aktualisht nga ana e policisë po punohet intensivisht për gjetjen e vajzës, si dhe për kapjen e të shpallurve në kërkim, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit”, “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim në ngarkim të tre të arrestuarve, dhe për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Përndjekja”, “Kanosja”, për dy të shpallurit në kërkim.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU