Rregulla të reja për abonetë në Tiranë, fotografia dhe numri ID të detyrueshme

Biletat e pajtimit mujor për transportin qytetës, që ndryshe njihen si abone do të duhet të kenë të vendosur edhe numrin e kartës së identitetit të personit përdorues. Procedura e re përcaktohet në një udhëzim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, me datë 9 maj 2018, duke ndryshuar modelin e biletave aktuale.

Sipas modelit të ri të përcaktuar, numri ID do të vendoset poshtë fotografisë, që, gjithashtu, është e detyrueshme. Përveç këtij ndryshimi, udhëzimi përcakton edhe elementët e tjerë që duhet të përmbajnë abonetë, duke përfshirë çmimin si dhe llojin e biletës së pajtimit mujor, që mund te jetë e përgjithshme, studenti apo emërtimi për linjën në të cilën ajo vlen. Ky udhëzim, vjen pas një debati të zhvilluar rreth një vit më parë për përdorimin e të dhënave personale.

Gjatë korrikut të vitit të shkuar nëpër urbanët e kryeqytetit u vendosën njoftime për pajisjen e aboneve me fotografi dhe të dhëna personale të përdoruesit, por ai u konsiderua si abuziv nga Bashkia e Tiranës. Në atë kohë, ky dikaster bëri me dije se njoftimet ishin vendosur nga operatorët në mënyrë të kundërligjshme, ndaj u vendosën edhe 80 gjoba kundrejt tyre.

Udhëzimi
Ministri i Transportit ka firmosur udhëzimin Nr. 436, datë 9.5.2018 për disa ndryshime në udhëzimin nr. 3743, datë 10.7.2017, “mbi modelet dhe standardet e biletave të transportit rrugor të udhëtarëve”. “biletat në format letër me çmim të parashtypur) ndryshohen si vijojnë: Bileta tatimore për disa udhëtime, bileta e pajtimit mujor për transportin qytetës, në krye të saj ka të shënuar: Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe përmban një shirit sigurie.

Në mes të biletës, duke filluar nga e majta shënohen: muaji i vlefshmërisë me numër natyror; bashkia ku është e vlefshme bileta (shembull, Bashkia Tiranë); lloji i transportit (transport qytetas); vendi që do të plotësohet me emër/mbiemër dhe fotografi të përdoruesit”-thuhet në udhëzim. Në pjesën e poshtme, majtas, të biletës së pajtimit mujor shënohen: çmimi i biletës me numra natyrorë dhe monedha (në lekë); lloji i bletës së pajtimit mujor (e përgjithshme/ studenti/linja “emërtesa e linjës” etj.), muaji me shkrim dhe viti me numra natyrorë. Ndërsa, në krahun e djathtë, njëra nën tjetrën, shënohen përkatësisht, vendi për: “nr. ID”; numri i biletës dhe “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, Tiranë”. /GSH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU