Rrëfimi i Idajet Beqirit: Berisha i bëri maskën mortore Hysni Kapos

Gazeta Dita sjell sot disa shënime nga vdekja e Hysni Kapos.

Ato janë botuar nga Idajet Beqiri.

Mes të tjerave, ai shkruan se Berisha i bëri atij, kallëpin e maskës së fytyrës dhe dorës.

“Pas vdekjes së Hysniut, Vito Kapo u shfaqi mjekëve shqiptarë që ndodheshin aty dëshirën që të kishte dorën e  djathtë të Hysniut të derdhur sipas formës origjinale të saj në një masë plastike të qëndrueshme për t’i rezistuar kohëve dhe ambientit. Donte një kujtim të përjetshëm të tij.

Kërkesa e Vitos u përcoll me habi dhe skepticizëm prej shumicës së mjekëve tanë të  ndodhur pranë trupit pa jetë të Hysni Kapos në Spitalin e Parisit. Ajo punë kishte një kosto dhe donte një angazhim. Në moment e mori fjalën Sali Berisha, për të cilin, sipas shënimeve të Nexhipit në Fletore, “kjo gjë ishte shumë e thjeshtë për t’u realizuar”.

Ai i mori përsipër Vito Kapos jo vetëm që t’i jepte thuajse si origjinale dorën e Hysniut, por madje edhe fytyrën e tij. Berisha ndihej si në shtëpinë e vet në atë spital, falë marrëdhënieve me profesor Gurgonin, shtetas francez me origjinë nga ish Jugosllavia. Brenda një kohe rekord Berisha realizoi marrjen e formës nga origjinali të dorës dhe fytyrës së Hysni Kapos, dhe pasi i përgatiti të dyja ato me një cilësi të tillë, sa dukeshin origjinale, ia dha në dorë Vitos, para se kufoma të vendosej në morgun e nëndheshëm të Spitalit, ku qëndroi për 3 ditë.

Sjellja e kufomës së Hysni Kapos në Shqipëri u bë me një avion special qeveritar francez. I gjithë personeli mjekësor dhe i shërbimit që u ndodh pranë Hysni Kapos në ato afro dy muaj të qëndrimit të tij në spitalin e Parisit, ndryshe nga hera e parë kur u nisën nga Tirana pjesë-pjesë dhe me linja ajrore dhe hekurudhore të ndryshme, erdhën me të njëjtin avion ku ndodhej trupi pa jetë i Hysni Kapos.

Gjatë gjithë udhëtimit në avion sundonte një heshtje e rëndë, të cilën e impononin kryesisht Vito Kapo dhe njerëzit më të afërt që i kishin shërbyer nga afër dhe një jetë të tërë Hysni Kapos, lotët e të cilëve nuk ndaleshin.

Avioni mbërriti në Rinas në datën 26 shtator 1979. Për të pritur trupin e Hysni Kapos në Rinas kishin dalë të gjithë burrat e shtetit të asaj kohe, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, e deri te të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, pjesëtarë dhe të afërm të familjes “Kapo” si dhe qytetarë të shumtë”, shkruan Beqiri.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU