Rrëfimi i Carlo Bollinos: Berisha më dëboi nga Shqipëria, por nuk e shoh si armik

Liri e fjalës nuk do të thotë liri e shpifjes, kjo vlen për politikanët, por edhe për gazetarët. Por që të zerë vend ky parim, i cili është rrënjosur në të gjitha demokracitë perëndimore, në Shqipëri ende duhet luftuar shumë.

Megjithatë, revolucioni dhe ndryshimi kanë filluar. I sigurt për këtë është Carlo Bollino, gazetar dhe botues, i cili për më shumë se 25 vjet punon në Shqipëri.

Në këtë intervistë të gjatë me kolegun Lorenc Vangjeli për emisionin “Java”, të transmetuar nga RTSH, Bollino tregon përvojën e tij si gazetar, dy proceset për shpifje të sapofituara me ish-kryeministrin Sali Berisha (të cilin, sidoqoftë, nuk e konsideron si një armik të tij, pavarësisht nga sulmet e pësuara prej vitesh) dhe gazetarin Jetmir Olldashi, por edhe krizën e rëndë të besueshmërisë, nga e cila vuajnë mediat shqiptare.

Njëra nga arsyet se përse doja t’ju intervistoja sot, është edhe një fakt i çuditshëm, që ndoshta nuk ka rënë shumë në sy në publik, edhe pse ju tentuat që ta mbanit me një profil të ulët: jeni shqiptari i parë, kam përshtypjen, që keni fituar një proces gjyqësor kundër njërit prej njerëzve më të pushtetshëm të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Flas për z. Sali Berisha, ish-president i Republikës, ish-kryeministër dhe një titull tjetër që është institucion sot, pra Sali Berisha.

Doktori. Në fakt, marrëdhënia ime me Shqipërinë ka filluar shumë vite përpara. Unë kam ardhur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1992. Dhe pothuajse që nga fillimi i prezantimit në Shqipëri, nëse përjashtojmë muajt e parë kur Doktori ishte akoma në opozitë, apo kur sapo kishte marrë pushtetin dhe unë kisha hapur një gazetë këtu, “Gazeta Shqiptare”, kanë filluar këto sulmet që kanë vazhduar prej vitesh, natyrisht jo vetëm ndaj meje por ndaj shumë gazetarëve të tjerë, që ai i cilësonte si jo në vartësi të tij dhe për këto arsye kishte filluar një seri shpifjesh. Por unë nuk kam reaguar asnjëherë sepse në fund të fundit, unë isha një i huaj këtu dhe me një farë respekti e kam pranuar që nuk ishte një pozicion i duhur. Edhe në vitin 1995, kur Berisha më ka dëbuar nga Shqipëria si “persona non grata”, pa asnjë arsyetim, unë prapë nuk kam reaguar sepse kam tentuar që të zbutej kjo përplasje. Por pastaj, sapo kam marrë pasaportën shqiptare, dy vjet përpara, kam reaguar si një qytetar shqiptar dhe pas shkrimit të fundit me një shpifje shumë të rëndë, atëherë unë vendosa që të bëja për herë të parë një padi ndaj z. Berisha.

26 vjet armiqësi, doni të thoni?

Armiqësi më shumë nga ana e tij sesa nga ana ime sepse unë e kam trajtuar z. Berisha gjithmonë si një politikan dhe jo gjithmonë mund të jesh dakord me idetë që ka një politikan. Madje, një gazetar e ka për detyrë që ta kritikojë një politikan ose ta mbështesë kur e gjykon të vlefshme. Kështu që unë nuk e gjykoj z. Berisha si një armikun tim.

Kundërshtar?

Ai më ka kritikuar, por kritika e kalon limitin që ndan nga shpifja, nëse më akuzon për vepra penale, siç ka bërë ai ndaj meje, ose më ka cilësuar si mafioz, si trafikant.

Çfarë konkretisht?

Konkretisht shkrimi ishte botuar në faqen e tij në Facebook dhe pastaj e kishte ripërsëritur edhe në disa intervista televizive. Ai më ka përmendur si përfaqësues të “Sacra Corona Unita”. Të gjithë e dinë që kjo është mafia puljeze, që në vitin 1985 e kam denoncuar unë sepse para se të vija në Shqipëri, unë kam punuar në Itali si gazetar i kronikës së zezë. Që nga viti 1985 kam ndjekur çështjen e mafies puljeze që ishte një fenomen i cili sapo kishte lindur. Mafia puljeze më ka kërcënuar. Unë e kam bërë hetime të shumta që janë të dokumentuara. Shume prokurorët e antimafias në Itali më njohin për impenjimin tim. Dhe akuza se unë financohesha nga kjo organizatë, është një shpifje e patolerueshme. Në fakt nuk ishte hera e parë.

Në gjuhën politike shqiptare, t’i thuash personazhit që ke përballë mafioz, nuk është ndonjë fyerje shumë e madhe.

Po, por për mua është. Unë jam akoma italian dhe të më thuash mafioz, është shpifje. Ta cilësosh një person si mafioz, nuk është nder. Mafia është armiku i vërtetë i një qytetari. Për mua mafia është simboli i të keqes dhe unë si gazetar s’mund të krahasohem me një mafioz.

Dhe më pas, si vajti ndeshja juaj me z. Berisha, pasi ju morët pasaportën shqiptare?

Sapo unë mora pasaportën shqiptare, ai kishte botuar këtë shkrim, plot me shpifje edhe të tjera, por cilësimi si mafioz për mua ishte më i rëndi nga të gjitha shpifjet e tjera. Atëherë unë u lidha me një avokat, Aranit Roshin, që e mori përsipër çështjen me shumë vështirësi

Është thyer një tabu.

Po, ishte një tabu. Ideja ishte që z. Berisha, në emër të demokracisë e të lirisë, mund të përdorte çdo armë, edhe shpifjet. Ndërkohë që unë jam i bindur që ka një dallim midis lirisë dhe respektit ndaj të tjerëve.Jo vetëm liria e një politikani, por edhe liria e një gazetari ka një limit. Dhe limiti është e vërteta. Nuk mund të tejkalohet ky limit për të përfituar një avantazh politik ose social ose ekonomik ose profesional për të bërë një skup, të bazuar mbi informacione false. Ky është një limit që akoma vazhdon të shkelet përditë në mediet shqiptare.

Dhe çfarë ndodhi në proces?

Avokatët ishin shumë të habitur nga kërkesa e gjyqtarit dhe nga kërkesa jonë si palë paditëse, që donim prova. Dakord, nëse ti më akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale mafioze, të lutem, më sill prova. Dhe ata ishin habitur se përse duhej të paraqitnin prova. Por kështu është ligji. Kur e cilëson dikë si mafioz si vrasës apo si të korruptuar, duhet të sjellësh prova për të vërtetuar akuzën. Dhe kjo për z. Berisha ishte një gjë e padëgjuar më parë sepse ai, për 25 vjet, ka cilësuar shumë njerëz në forma nga më të ndryshmet, me epitete nga më të ndryshmet, por pa i faktuar asnjëherë. Nëse ai e bën me politikanët është e drejta e tij, le ta bëjë gjatë gjithë kohës. Por, ndaj një gazetari, që në fund të fundit, është një qytetar i thjeshtë, gjyqtari nuk e ka pranuar dhe ky është një revolucion.

Patët ndonjë komunikim me z. Berisha, qoftë edhe të tërthortë?

Jo, nuk kam pasur. Unë kam kërkuar disa herë që të bëj një intervistë me z. Berisha sepse unë nuk e konsideroj si armik. Unë e konsideroj si një politikan që, për mua, ka gabuar. Dhe unë duhet t’i kërkoj shpjegime përse ka gabuar, shpjegime përse ka vepruar në një mënyrë që unë e quaj të gabuar. Kjo është e drejta e një gazetari. Ai s’ka pranuar ndonjëherë. Ky nuk është fundi i botës. Jo për këto arsye unë po e shpall armik se ka refuzuar intervistën. Unë edhe sot nuk arrij ta kuptoj përse ai më ka shënjestruar, prej 25 vitesh, duke menduar se unë isha pjesëtar i asaj organizate mafioze.

Mos ndoshta mendon vërtet kështu?

Ndoshta e mendon, por nuk e besoj. Që nga viti 1993-1994 ai ka përdorur të njëjtat argumente, disa herë. Pastaj, që nga viti 2005 ai ka qenë kryeministër dhe kishte nën kontroll Prokurorinë, SHIK-un, gjyqtarët, policinë, çdo institucion shtetëror. Nëse do të kishin një element të vetëm, ata kanë hetuar për mua, e kanë vërtetuar situatën time. Madje, për të marrë pasaportën shqiptare, unë kam aplikuar te Presidenca dhe president ishte z. Nishani, i cili, siç e dimë të gjithë, ishte i lidhur me Partinë Demokratike. Ata e kanë verifikuar nëpërmjet SHISH-it nëse unë do të kisha ndonjë problem. Dhe unë e kam përfituar nënshtetësinë shqiptare pa asnjë vërejtje, nga asnjë institucion shtetëror. Kështu që, për mendimin tim, ai e di mirë që unë nuk jam anëtar i asaj organizate mafioze. Por nuk e di përse vazhdon të përdorë epitete të tilla. Atëherë unë kam kërkuar që kjo vërtetësi të certifikohet edhe me një vendim gjykate.

Ju thatë pak më parë se vendimi i dhënë në Gjykatën e Tiranës është një revolucion. Për pjesën tuaj personale është edhe një certifikim i pastërtisë suaj.

Unë mendoj që duhej bërë një revolucion në këtë drejtim. Shkaku ka qenë z. Berisha, por ky nuk është rasti i vetëm. Për fat të keq, politika shqiptare, por edhe media shqiptare vazhdojnë ta përdorin shpifjen si armë politike. Në botën perëndimore të zhvilluar, një gënjeshtër nga ana e një politikani është një minus shumë i fortë. Atëherë, një shpifje është një gënjeshtër që godet dikë. Këtu politikanët nuk kanë frikë fare për të gënjyer dhe nuk kanë frikë fare për të shpifur. Unë mendoj që kjo duhet të ndryshohet, por edhe nga ana e medies, jo vetëm nga ana e politikanëve.

Mund ta citoni, pak a shumë, si ishte vendimi? Në çfarë mënyre u shpall fajtor z. Berisha?

Është shpallur fajtor sepse nuk e ka vërtetuar akuzën ndaj meje. Dhe akuza ndaj meje ishte fyerje dhe shpifje. Gjykata ka vendosur një dëmshpërblim minimal, që ishte 100 mijë lekë të reja. Por kjo nuk ka rëndësi për mua, mund të ishte dhe vetëm 1 lek sepse nuk bëra padi për të përfituar lekë. Ai nuk arriti të demonstrojë akuzën ndaj meje dhe kjo ishte arsyeja që ka përdorur gjyqtari, i cili ka nënvizuar edhe një fakt tjetër që, Berisha si politikan ka një detyrë më shumë për ta përdorur fjalën e lirë, nuk ka një alibi, një amnisti ose një imunitet ndaj një qytetari të thjeshtë.

Gjithashtu po në këtë periudhë ju keni fituar një proces ndaj një tjetër gazetari, i cili u bë i njohur kohët e fundit si një prej autorëve të audiopërgjimit për çështjen Xhafaj. Ky është kolegu ynë Jetmir Olldashi. Edhe procesin me të e keni fituar. Kam lexuar përgjigjen që ju keni dhënë pak kohë më parë, pikërisht për këtë temë. Për çfarë bëhet fjalë?

Këtë zotërinë unë s’e njoh fare, nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk e dija që ekzistonte në tregun mediatik shqiptar. Në muajin e fundit, disa herë ai ka përdorur një portal të vogël që ka në pronësi, për të më sulmuar me shpifje, me argumente absolutisht të pabazuara, duke ndjekur të njëjtën logjikë me z. Berisha. Pra të shpifin e të sulmojnë sepse unë jam për ta kundërshtar. Dhe unë nuk e di përse ai më cilëson si kundërshtar. Ndoshta sepse ai është anëtar i Partisë Demokratike, pavarësisht se paraqitet si gazetar i pavarur. Çështja nuk është se ai është anëtar i PD-së sepse mund të ishte edhe i LSI-së apo i PS-së apo i PBDNJ-së. Rëndësi ka fakti që një gazetar i pavarur nuk duhet të ketë asnjë lidhje me asnjë forcë politike.

Mund të ketë një lidhje ideologjike, por jo një lidhje institucionale. Dhe ai ka vazhduar të shpifë duke përdorur metoda “ala Berisha”, pra shpifje pa fakte. Ai ka përdorur një instrument më shumë, që ky është elementi kancerogjen që kemi brenda medias shqiptare, anonimati. Ligji shqiptar për median në fakt, e mbron shumë shpifjen, nëse është anonime, pa emrin e një autori. Dhe ky është një boshllëk që ka ligji shqiptar dhe për mendimin tim është një problem shumë i madh. Në Itali, për një shkrim anonim ka një përgjegjësi të redaktorit ose të kryeredaktorit. Ndërsa në Shqipëri nuk është kështu. Në Shqipëri kryeredaktori është përjashtuar nga përgjegjësia për një shkrim anonim. I vetmi përgjegjës është autori.

Nëse autori është anonim nuk ka fajtor. Pastaj, pas 10 apo 15 shkrimeve kundër meje personalisht, z. Olldashi arriti të botojë një shkrim, me emër e me mbiemër në fund, dhe me fotografinë e vet. Unë ngrita një padi nëpërmjet avokatit Gavrosh Andoni. Edhe në këtë rast procedura ishte identike. Gjyqtari ka kërkuar burimin që fakton akuzën. Olldashi më kishte akuzuar si vrasës, pra unë me z. Erjon Veliaj kishim vrarë atë djalin shkrejt në Sharrë. Ka përdorur gjithashtu epitete të tjera për familjen time. Që të akuzosh një person si vrasës duhet të kesh prova pa fund. Ai nuk kishte asnjë fakt dhe u habit kur në gjykatë i kërkuan prova. Ky ishte revolucioni i dytë. Pra, jo vetëm politikanët, por edhe gazetarët duhet të faktojnë akuzat e tyre.

Të rikthehemi edhe një herë në gjendjen e shtypit shqiptar. Është pasqyrë e asaj se çfarë ndodh në të gjithë botën ose së paku, në të gjithë Evropën. Rrugëtimi që ka bërë media, komunikimi me publikun, që është një rrugë që ka nisur nga Gutenbergu e tani jemi te stacioni tjetër që është Zukenbergu, një udhëtim relativisht i komplikuar, ku duket se po rilind edhe një herë profesioni i gazetarit. Sa ju duket se media është në këtë krizë dhe sa ju duket se do ndryshojë e nesërmja e saj.

Për mua në Shqipëri media është në krizë, por është krizë besueshmërie, që është akoma më e rëndë. Besoj se besueshmëria është në nivelin zero, sot. Unë kujtoj se si ishte besueshmëria në vitin 1993-1994 dhe gazetarët e kishin një farë kredibiliteti. Gazetarët kanë bërë luftë ndaj politikave dhe politikanëve të ndryshëm duke u bazuar mbi hetime dhe mbi fakte. Kishte edhe gazetarë që bënin shpifje edhe atëherë, por më pak se sa sot. Dhe ky fenomeni i një mbidoze informative që kemi sot, pse në Shqipëri ka akoma 32 gazeta kombëtare, ka 65 televizione, ka 100 radio dhe pak a shumë 2.000 faqe uebi informative. Tani, nëse krahasojmë përqindjen e sasisë së medias në Shqipëri me sasinë e medias që ka në Itali, është një krahasim i pamundur sepse në Itali ka rreth 25 televizione të njohura në rang kombëtar, dhe gazeta kombëtare janë 7. Me 65 milion banore.

Përse ndodh kjo sipas jush?

Ndodhi edhe në Itali menjëherë pas Luftës II Botërore. Kishte një bum informativ, që shpjegohej me vullnetin për fjalën e lirë, për komunikimin dhe për reagimin pas diktaturës. Ky ka qenë fenomeni që filloi në Shqipëri në vitet 1993-1995. Pastaj, siç çdo gjë që ndodh këtu, po zmadhohet jashtë mase sepse nuk ka limite, nuk ka akoma një ekonomi tregu.

Nuk e kushtëzon tregu këtë gjë?

Absolutisht jo. Ne treg ka gazeta që shesin 50 kopje. Pra janë media të teknikisht të falimentuara, televizione teknikisht të falimentuara që ekzistojnë akoma.

Ju mendoni se është deformimi i medias apo deformimi i tregut që bën këtë bashkëjetesë?

E para është deformimi i tregut. Media është transformuar nga një instrument i kontrollit shoqëror në një instrument të mbrojtjes personale. Media në një vend të zhvilluar quhet pushteti i katërt sepse kontrollon tre pushtetet e tjera. Ndërsa në Shqipëri ky instrument është thjesht në shërbim të një individi që është botuesi, ashtu si policia private, sepse individi nuk ka asnjë instrument tjetër për t’u mbrojtur nga një drejtësi që nuk bën drejtësi, nga politika që nuk respekton ligjet, nga kriminaliteti që nuk është i ndëshkuar nga institucionet shtetërore, nga mediat e tjera që përdoren si sulm e kundërsulm për të mbrojtur interesa individuale. Çdo person që ka interesa në fushën e biznesit ose në fushën politike, ndërton një media private për të mbrojtur interesat individuale. Ky shumëfishim, ky individualizëm, prish imazhin kolektiv të medias, prish besueshmërinë e medias.

Metafora juaj është shumë e fortë. Është hera e parë që përdoret një shprehje e tillë, pavarësisht se të gjithë flasim për një fenomen të tillë, për median si një polici private për interesa të caktuara. Çdo katër vjet në Shqipëri bëhet një reformë në Legjislativ sepse janë zgjedhjet e përgjithshme. Por askush nuk kujtohet të flasë për një reformë mediatike.

Media është një temë shumë e ndjeshme, për dy arsye: e para, sepse media në përgjithësi, media e ndershme, përfiton nga një mbrojtje ndërkombëtare. Edhe pse ata kanë si parim lirinë reale të medias dhe jo anarkinë në të cilën jeton ose mbijeton media në Shqipëri, në përgjithësi ata nuk duan që ta prekin median sepse rreziku është pastaj pas, reforma, mund të futen rregulla që e kufizojnë lirinë e medias. Politika, nga krahu tjetër, në njëfarë mënyre, e ka më komode ta menaxhojë median në këtë kaos total, në të cilin po fundoset. Nga ana tjetër nuk do që të hapë konflikte me institucionet ndërkombëtare. Edhe reforma në Drejtësi është rezultat i një presion ndërkombëtar shumë të fortë.

Ju jepni një diagnozë dhe thoni që ky është një pushtet, gjithashtu i sëmurë, që reflekton në fund të fundit shumëçka tjetër ndodh në shoqërinë shqiptare. Cila do të ishte zgjidhja, sipas jush, nëse nuk do të ishte fjala reformë ajo që do të përdorej? Në çfarë mënyre? I ka media brenda mekanizmat e vetërregullimit?

E para, unë mendoj që gazetarët duhet të krijojnë një strukturë vetëmbrojtjeje shumë të fortë, që respekton rregulla, që cakton edhe të drejta por dhe detyra. Në Itali gazetarët janë një kategori e paprekshme, jo vetëm nga politikanët, por edhe nga botuesit. Një gazetar në Itali, nuk mund të pushohet nga puna prej botuesit. Ndryshe nga ato që ndodhin në Shqipëri, ku çdo botues mund ta pushojë nga puna një gazetar sepse ai ka shkruar diçka kundër një politikani që botuesi kërkon ta mbrojë. Dhe ky është problemi i parë. Gazetari shumë i dobët. Deri në momentin që ai ose pranon shantazhin nga pronari ose mendon që të hapë një media vetë dhe ta bëjë ai shantazhin. Ky është fenomeni.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU