Ronaldo zhbllokohet pas 344 minutash, Juventus mbetet “perfekt”

Më në fund “zgjohet” edhe Cristiano Ronaldo, pas 344 minutash!

Portugezi ka shënuar dy herë ndaj Sassuolo, golat e tij të parë në Serie A, duke i dhënë “Zonjës së Vjetër” fitoren 2-1, të katërtën radhazi në këtë kampionat, ku kryeson si e vetmja skuadër me pikë të plota.

Për kampionët e Italisë problemi i vetëm deri tani kishte qenë se blerja 100 milionësh Cristiano Ronaldo nuk kishte gjetur ende golin e parë, por në minutën e pestë të pjesës së dytë, “CR7” shënoi, pasi u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur, pas gabimit të Ferrari, gjatë një goditje nga këndi.

Pas 15 minutash, Ronaldo shënoi sërish duke hipotekuar suksesin e bardhezinjëve.

Deri tani, pas katër ndeshjesh në Serie A, “Topi i Artë” ka shënuar dy gola pas 30 goditjeve drejt portës kundërshtare.

Në minutën e parë shtesës, Khouma Babacar ngushtoi diferencën për miqtë, por pa arritur të prishë festën e Juventus. Ndërkohë, vlen për t’u përmendur se kur mbeteshin 30 sekonda nga fundi, Douglas Costa i Juventus u ndëshkua me karton të kuq, sepse pështyu një kundërshtar.

Në ndeshjet e tjera të luajtura në Serie A, Genoa fitoi 1-0 ndaj Bologa, që ende nuk e ka gjetur golin e parë në Serie A, ndërsa Udinese dhe Torino u ndanë në barazim 1-1.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU