Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani ishte i ftuar në studion e Real Story ku ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike.
Mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar ku u kaluan për miratim në Kuvendin Kombëtar disa ndryshime statutore, duket se thelloi edhe më tej përçarjen mes kryetarit Basha dhe kritkëve të tij.
Ndërkohë, Ristani mohoi pretendimet e tyre se nuk u morën parasysh propozimet e bëra për bashkimin e partisë.
“Në mënyrë absolute janë pyetur të gjithë, nuk ka kush të thojë që nuk u pyetëm, nuk u konsultuam. Unë mund t’ju them me plot gojën që një set parimesh për shembull të kërkuara nga një fluks i kritikëve janë vënë të gjitha në statut, kanë qenë një set parimesh të djathta, janë futur te parimet në statut. Propozimi që të krijohej komisoni i kandidaturave, është te propozimet e zonjës Harxhi dhe Kulluri”, deklaroi Ristani.
Por analisti Agron Gjekmarkaj deklaroi se me gjithë këto lëvizje të Bashës, ato në thelb nuk kanë sjellë asnjë ndryshim. Ai thotë se Bashës i intereson një parti kaotike.
“Bashës i duhej një gjë, hajde të merremi me statutin. Kur ai nuk ka bërë ende analizën e humbjes së zgjedhjeve. Ai mund t’i bëjë të gjitha këto, edhe nëse shkon te “një anëtar një votë, anëtarësia është e kontrolluar Problemet i zgjidh një reflektim, i zgjidh një bashkim idesh, por problemi është se Basha e ka dashur këtë parti kështu si është. Ai ka krijuar konfuzion se i duhet një parti pa shtyllë kurrizore”, deklaroi Gjekmarkaj./a.m.