‘Ringjallet’ sërish lideri i ISIS, bën thirrje për të vazhduar luftën

Lideri i grupit ekstremist, Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi u ka bërë thirrje mbështetësve të tij, në atë që pretendohet të jetë fjalimi i parë i incizuar këtë vit, që të vazhdojnë të luftojnë grupet armike në gjithë botën, pavarësisht humbjeve të fundit.

Incizimi 54 minutësh është publikuar nga një prej mediave të ISIS, Fondacioni al-Furqan më 22 gusht.

Deri tani ka pasur raportime të ndryshme rreth asaj se ku ndodhet al-Baghdadi dhe nëse është gjallë apo i vdekur.

Grupi i tij ka humbur rreth 90 përqind të territorit që ka kontrolluar dikur në Irak dhe Siri, ku edhe pati shpallur kalifatin në qershor të vitit 2014.

Fjalimi i fundit i Baghdadit në shtator të vitit 2017 u ka bërë thirrje të gjithë mbështetësve të vrasin armiqtë kudo që janë dhe me çfarëdo arme që kanë mundësi.

Pas atyre deklaratave, militantët e këtij grupi kanë kryer disa sulme në gjithë botën.

Në incizimet e fundit, Baghdadi ka përmendur ngjarjet aktuale, duke përfshirë mosmarRëveshjen e Turqisë me SHBA-në, lidhur me ndalimin e pastorit amerikan në Ankara.

Nëse zëri konfirmohet se është i Baghadadit, atëherë kjo do të kundërshtonte raportimet për vdekjen e tij.

Baghdadi ka thënë se “Amerika është duke kaluar në periudhën më të rënë në të gjithë historinë e saj” dhe se Rusia është duke garuar me të për të fituar ndikim në Lindje të Mesme.

Ai po ashtu ka kritikuar rebelët e rrethuar nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad në jug të Sirisë, duke i cilësuar ata tradhtarë dhe duke iu bërë thirrje që t’i bashkohen grupit të tij.

Ai ka paralajmëruar se provinca Idlib ne Siri, zona e vetme e kontrolluar nga rebelët, pritet të pushtohet nga forcat ruse dhe ato sirine.

Baghdadi është parë në publik vetëm një herë më 2014 në qytetin irakian, Mosul.

Pavarësisht raportimeve për vdekjen e tij, zyrtarë të ushtrisë amerikane besojnë se ai është ende gjallë, derisa ka dyshime se ai është duke u fshehur në një shkretëtirë mes Sirisë dhe Irakut.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU