Rikthehet filmi “Top Gun”, nisin xhirimet në aeroplanmbajtëse

Një ekip aktorësh dhe personeli realizues është aktualisht në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, pranë brigjeve të Virginias, duke xhiruar skena të Top Gun II me Tom Cruise.

Lajmi konfirmohet nga vetë marina amerikane, e cila edhe sqaron se vetë Cruis dhe aktorët e tjerë kryesorë nuk janë ende në bordin e luftanijes. Marina po mbështet xhirimin e disa skenave në bordin e luftanijes USS Abraham Lincoln bazuar në një marrëveshje të nënshkruar mes Paramount dhe departamentit të mbrojtjes.

Prioriteti ynë do të jetë gjithnjë luftimi dhe trajnimi i forcave ajrore të marinës, thënë kjo, ne besojmë se mund të mbështesim filmin dhe në të njëjtën kohë të realizojmë edhe objektivat trajnuese”, tha një zyrtar. Paramount Pictures do të rimbursojë marinën për çdo kosto të lidhur me sekuencat në fluturim që nuk kanë të bëjnë me objektivat e trajnimit.

Zërat për një film pasues të hitit të 1986, nisën tre vite më parë kur u tha se projekti ishte në zhvillim. Në maj, vetë Tom Cruise i dha fansave një sinjal për fillimin e prodhimit duke postuar një foto të tij në rolin e pilotit të marinës Pete Maverick Mitchel, që shikonte drejt avionit të tij me fjalët Feel the Need.

Filmi i parë kishte në qendër pilotët që merrnin pjesë në shkollën e pilotëve të marinës, në bazën e Miramarit në San Diego dhe marina ka thënë se i ka dhënë akses produksionit në një nga bazat e saj edhe këtë herë.

Se kur do ta shohim filmin nëpër kinema, ende nuk dihet por sidoqoftë, ai do të jetë i gatshëm rreth 30 vite pas debutimit të origjinalit. Rekrutimet në marinë pësuan një rritje të ndjeshme në vitet 80-90,pas daljes së filmit Top Gun.

Aktualisht, marina dhe forcat ajrore po përballen me mungesa në radhët e tyre, e ndoshta, një Top Gun i dytë do të ndihmonte siç edhe ka bërë paraardhësi i tij.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU