Rikthehen tërmetet, regjistrohen 5 lëkundje të forta, epiqendra në Gjirin e Lalzit

Ditëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga një aktivitet sizmik i përsëritur, ku tërmetet nuk janë ndalur.

Prej fillimit të Korrikut, Shqipëria është shoqëruar vazhdimisht nga lëkundje të shpeshta të tokës, ku pjesa më e madhe e kanë patur epiqendrën në Gjirin e Lalzit. Tërmetet në këtë zonë janë rikthyer të fuqishme ditën e diel, ku prej orëve të para të mëngjesit janë numëruar 5 të tillë.

Tërmeti më i fortë është regjistruar në orën 12:21 me një magnitudë prej 3.6 ballë të shkallës rihter. Megjithëse më i dobët se ai 5.1 ballë që u ndie edhe në kryeqytet më 4 Korrik, ai raportohet të jetë ndjerë nga banorët dhe pushuesit që ndodheshin në plazh.

Ndërsa më herët, gjatë orëve të para të mëngjesit janë regjistruar edhe 4 lëkundje të tjera në me epiqendër fshatin Kuraten në Durrës, Kashnjet në Lezhë dhe në Delvinë, por me intensitet të dobët, nga 2.1 deri në 2.7 ballë i shkallës rihter.

Deri më tani nuk raportohen për dëme, ndërsa ekspertët bëjnë apel të shmanget paniku. Sipas tyre, lëkundjet e mëdha kanë kaluar, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e tërmeteve më të vegjël në javët në vijim. Prej datës 4 Korrik numërohen mbi 600 tërmete, të përqendruar kryesisht në zonën e Durrësit, Lezhës dhe Fushë Krujës.

Sizmiologu Rrapo Ormeni deklaroi në një bisede telefonike për mediat se nuk ka vend për panik.

“Është një pasgoditje, mbas datën 4 korrik. Këto mund të vazhdojnë me javë. Por kjo ka qenë me intensitet më të lartë. Është magnitudë që ndjehet vetëm në zonën central. Në sezonin veror nuk ka vend për panic, lëkundjet janë rrafshuar dhe nuk kanë intensitet”

Nga 4 korriku e deri më sot, plot 11 ditë, në kryeqytetin e vendit Tiranë por edhe në Durrës regjistrohen lëkundje të lehta tërmeti.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU