Rihapet “Artizanet e Antigonesë”/ Kumbaro: Jo vetëm ruajtje e traditës, por dhe zhvillim ekonomik

Rihapet pas 7 vitesh punishjta Artizanet e Antigonesë në Gjirokastër, falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, një projekt jo thjesht për ruajtjen e traditës dhe vlerave artizanale të kësaj krahine, por duke e parë mbi të gjitha si një mundësi punësimi për këto gra.

Ministrja Kumbaro, e cila ishte e pranishme në rihapjen e qendrës u shpreh se qëllimi i Ministrisë së Kulturës, nuk është vetëm ruajtja e trashëgimisë por nxitja e një aktiviteti fitimprurës, i cili nga mbështetja të mund të kthehet në një aktivitet të pavarur. Madje Kumbaro pranoi të ulej në tezgjah dhe të mësonte vet si bëhen këto punime të cilat janë mjaft të kërkuara në tregun vendas dhe atë të huaj.

“Jemi në ditën e hapjes së njërit prej projekteve të Ministrisë së Kulturës që është “Zhvillimi i artizanatit”, atje ku është burimi i dijebëries. Ky  është një projekt që ne e kemi zhvilluar në disa treva të Shqipërisë, që nga Zogaj në Shkodër e deri në Antigone, këtu në Gjirokastër, nga Korça në Krujë, nëpër zona e fshatra në të cilat është ruajtur tradita e dijebëries, qoftë e punimit të leshit, e shajakut apo e qeramikës.  Ministria e Kulturës ka një strategji për nxitjen e tyre jo vetëm si ruajtje e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si ruajtje e artizanatit, por edhe për t’i nxitur komunitetet për një aktivitet ekonomik i cili nga mbështetja të mund të kthehet në një aktivitet të pavarur. E nisëm në Antigone, ku modelin e gjetëm të gatshëm, në këtë qendër të krijuar 10 vite më parë, por që për vite të tëra ky lloj aktiviteti ishte ndërprerë. Kjo është arsyeja pse me këtë aktivitet ne nisëm inaugurimin e një serie të tërë punimesh. Jam shumë e kënaqur të shoh këto gra të cilat e përcjellin punën në breza të ndryshëm. Kemi detyrë jo vetëm t’I mbështesim dhe t’i nxisim, por edhe të mësojmë prej tyre”, tha Kumbaro.

Në Njësinë Administrative të Antigonesë, në Gjirokastër, prej vitit 2006, në bashkëpunim me Komunën Antigone, dhe një Fondacion Norvegjez,  është ngritur punishtja “Artizanet e Antigonesë” ku u punësuan rreth 20 gra dhe vajza nga kjo krahinë, të cilat prodhonin punime me avlemend, prej leshi, të cilat janë pritur mjaft mirë në tregun shqiptar dhe atë të huaj, por  pas vitit 2011 puna e saj është bllokuar për mangësi të fondeve, por janë ruajtur godina dhe mjetet e punës.

Për të mundësuar rifillimin e ketij aktiviteti prodhues si dhe për të mundësuar punësimin e grave dhe vajzave të kësaj njësie administraive, Ministria e Kulturës mundësoi një fond   për rifillimin e punës së artizaneve të kësaj Njësie Administrative  me implementimin e këtij projekti duke ndihmuar si në drejtim të punësimit por edhe për ruajtjen e kësaj tradite dhe të punës për krijimin e vlerave artizanale të kësaj krahine. Në këtë projekt marrin pjesë  rreth 30 gra e vajza nga kjo krahinë, të cilat do të mundësojnë tek brezi i ri dijebërjen e punës artizanale të punimit në avlemend. /ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU