Ridvan Bode, si ndikoi njeriu i fortë i financave në shndërrimin e Skënderbeut

Ridvan Bode përmendet në raportin e UEFA-s për trukimet e ndeshjeve të Skënderbeut.

Seria e suksesshme e skuadrës korçare në kampionatin shqiptar nisi pas ardhjes së presidentit Agim Zeqo dhe biznesmenëve të tjerë, të thirrur nga ministri i financave në atë kohë, Ridvan Bode.

Synimi ishte bërja për vete e publikut për të arritur fitoren në Bashkinë e Korçës, e drejtuar nga socialisti Niko Peleshi.

Bashkia e Korçës, pronare e klubit, u mënjanua pa bërë rezistencë, por suksesi i ardhshëm i skuadrës nuk arriti të sillte largimin e Peleshit, i cili fitoi edhe zgjedhjet e vitit 2011 kundër kandidatit demokrat Andrea Mano.

Ishte mesi i sezonit 2009-2010 dhe skuadra rrezikonte rënien nga kategoria, por pas ardhjes së grupit të Zeqo e kompani në janar 2010, fitoret erdhën radhazi, si me magji. Pothuajse të gjitha skuadrat e tjera, të drejtuara nga bizenesmenë lokalë, iu nënshtruan frikës nga i plotfuqishmi i financave dhe Skënderbeu nuk e pati aspak problem të mbijetonte, ndonëse me skuadrat rivale nuk ia arriti të merrte fitore.

Një sezon më pas, për skuadrën e shpëtuar, nisi seria e titujve kampionë radhazi, plot gjashtë, si askush më parë.

Sipas raportit, ish-ministri Bode ka ndërhyrë ose ka influencuar në ndeshjet që Skënderbeu ka luajtur me Dinamon e Tiranës.

Këtë, sipas raportit e ka konfirmuar edhe trajneri Luis Manuel Blanco. Gjithashtu, raporti  thotë se tri ndeshje mes Dinamos dhe Skënderbeut kanë qenë nën hetim.

Duke shfrytëzuar postin si ministër i financave, Bode ushtroi presion mbi presidentin e Dinamos, Besnik Sulaj, biznesmen nafte dhe pronar i lokalit Rinia në qendër të Tiranës, i njohur më së shumti si Tajvani. Përveçse siguroi pikët në favor të skuadrës korçare, Bode ndikoi direkt në largimin e lojtarëve nga blutë te Skënderbeu, si Gjergji Muzaka dhe Alfredo Rafael Sosa.

E fundit, ajo e datës 15 prillit të vitit 2011 është trukuar për qëllime fitimesh në baste. Gjithashtu, raporti shkruan se Bode ka shfrytëzuar lidhjet e tij me Presidentin e Shkumbinit (Dashamir Sula), që ishte dhe deputet.

Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave janë të trukuara.

Rivali më i fortë i Skënderbeut në vitet në vazhdim ishte Flamurtari, i drejtuar nga kryebashkiaku socialist i Vlorës, Shpëtim Gjika. Megjithatë, vlonjatët arritën t’u gëzoheshin vetëm disa fitoreve kundër korçarëve, por pa arritur që ta privonin Skënderbeun nga titujt.

D.I.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU