Restaurohet Manastiri i Mesopotamit
Manastiri i Shën Kollit, i njohur ndryshe si Manastiri i Mesopotamit, që ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mesopotam në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit, i është nënshtruar së fundmi një sondazhi arkeologjik dhe një restaurimi.
Lajmin e bën me dije vetë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë në ueb-faqen e vet zyrtare, ku thekson se nën drejtimin e prof. Luan Perzhitës aktualisht po bëhen disa sondazhe në anën jugore të kishës në kufi me Konakët dhe në anën perëndimore në afërsi të kullës-kambanë te mulliri.
DRKK Vlorë sqaron se për këtë kishë është miratuar nga KKR-ja projekti i fazës së tretë të restaurimit në bashkëpunim me bërthamën e KOASH, për të cilën pritet financimi.
Specialistët e Drejtorisë së Kulturës Vlorë e cilësojnë Manastirin e Shën Kollit në Mesopotam si një “margaritar të çmuar të Trashëgimisë tonë Kulturore dhe Arkitekturës Bizantine Botërore”.
Manastiri i Mesopotamit
Në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, që mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.
Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 metra katrorë dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha, ndërsa dhomat e manastirit janë ndërtuar më vonë.
Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, si dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme e në harqet e dritareve dhe hyrjeve.
Në muret e kishës janë rivendosur basorelievet në forma të ndryshme (një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike). Kisha përbëhet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente më të vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë hapur. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845, të cilët e kanë ndryshuar shumë pamjen dhe mendohet t’i kenë humbur shumë vlera.