Regjistrimi i koalicioneve, KQZ merr vendim nesër por afati skadon sot…

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar KQZ-së sot me një kërkesë për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve për zgjedhjet e 18-Qershorit.

Kjo sipas këtyre partive për t’i dhënë kohë opozitës e cila ende nuk është regjistruar.

Për shqyrtimin e kësaj kërkese, KQZ pritet të mblidhet nesër në orën 13.00, edhe pse afati për regjistrimin e koalicioneve skadon sot në ora 24.00, ndërkohë për regjistirmin e partive afati ka skaduar.

Kodi zgjedhor, ka të parashikuar afatet e regjistrimit të subjekteve dhe koalicioneve përkatësisht në nenet 64 dhe 65.

Në nenin 65, pika 1,  shprehimisht thuhet:  “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve“.

Ky afat përfundon pikërisht sot në ora 24.00.

Ndërkohë, sa i takon regjistrimit të subjekteve, afati është jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve, referuar nenit 64. Praktikisht, ky afat ka skaduar para 10 ditësh, dhe PD me aleatët e saj nuk janë regjistruar as si subjekte dhe as si koalicion.

/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU