Reforma prodhoi më në fund një koalicion politik

Nga Mero Baze

Ilir Meta ka  bërë të qartë dy gjëra. E para që ai nuk voton reformën, po nuk e votoi Berisha, dhe e dyta, që ai nuk ka të ardhme politike me Partinë Socialiste.

Sa i përket çështjes së parë, Ilir Meta është në të drejtën e tij. Deri më sot pozicionimi ndaj reformës në drejtësi ka qenë i paqartë, pasi konsiderohej apriori që shumica kishte një qëndrim dhe opozita kishte një qëndrim.

Por qëndrimi zyrtar i Ilir Metës tregon se reforma ka krijuar një koalicion të ri politik. Në një anë është Sali Berisha me Ilir Metën, dhe në anën tjetër Partia Socialiste dhe SHBA me BE, që mbështesin propozimin e zonjës Nuland.

Ky pozicion i ri politik, e bën më të qartë betejën dhe më të zymtë të ardhmen e numrave pro reformës.

Për hir të së vërtetës, LSI e ka mbështetur qëndrimin e saj tek reforma, duke e kushtëzuar atë qysh në fillim me konsesusin e Berishës. Dhe Berisha po ashtu e ka mbështetur dhe i ka qendruar burrërisht paktit me Metën rreth reformës, duke mbrojtur qëndrimet e tij.

Tani ky pakt është i hapur dhe zyrtar, dhe palët duhet të rillogarisin forcat rreth këtij realiteti.

SHBA dhe Bashkimi Europian ju përgjigjën Ilir Metës me të njëjtin tekst dhe të njëjtat fjalë, duke i kërkuar atij të ketë paraysh se çdo bisedim për konsesus do të bazohet vetëm tek propozimi i zonjës Nuland, dhe jo tek propozimet e Berishës.

Deklarata e Ilir Metës ishte ambige në këtë pikë. Ai fliste vetëm për konsesus, por jo për projektin mbi të cilin do të mbështetej konsesusi dhe pikërisht për këtë shkak Uashingtoni dhe Brukseli ju përgjigjën për të qartësuar pozicionin e tij lidhur me projektin Nuland. Dhe Meta duhet ta bëjë këtë, edhe pse është e sikletshme.

Pra, duhet të qartësojë publikisht, se ai mbështet projektin e zonjës Nuland dhe jo vetëm deklaratën e saj për nevojën e konsesusit.

Reforma në drejtësi është beteja thelbësore për politikën shqiptare, dhe është e natyrshme që ajo të prodhojë jo vetëm politikë, por dhe aleanca të reja politike.

LSI dhe Ilir Meta është në të drejtën e vet të bashkojë votat me kë të dojë në propozimet për reformën, por e rëndësishme është që palët u shprehën paraprakisht. Do të ishte më keq, sikur LSI të bënte sikur ishte formalisht me reformën e zonjës Nuland dhe të shkonte në votime kur të bindej se nuk ishin bërë 93 vota për ta miratuar.

Ky qëndrim i sotëm është më i ndershëm dhe më i dobishëm për të gjitha palët.

Shkak për këtë mendoj se janë bërë dhe takimet e ambasadorit Lu me disa deputetë të PD dhe frika se mos disa prej tyre në fund i bashkoheshin votës pro reformës.

Por kjo ka pak rëndësi tani. E rëndësishme është që tani ka dy palë në betejën për reformën në drejtësi, njëra palë që mbron projektin Nuland dhe tjetra projektin e Berishës.

Kjo aleancë e re politike që prodhoi reforma, duket se është konsoliduar dhe me terma më afatgjatë për pushtetin, duke prodhuar dhe skemën e qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të ardhshme.

Besoj se këto janë llogari të padobishme dhe nuk duhen bashkuar me reformën në drejtësi. Kush mendon se reforma në drejtësi është çështje elektorale, le ta çojë në referendum reformën dhe e vendosin shqiptarët. Fakti që reforma po shikohet si një rast i mirë për të rikonfiguruar koalicionin Berisha- Meta, tregon se ajo tashmë ka prodhuar një koalicion të ri me të cilin socialistët duhet të përballen me dinjitet dhe pa asnjë hezitim.

Pas dështimit të prishëm të 21 Korikut, Edi Rama duhet të kalojë në mocion besimi qeverinë e tij dhe të shkojë në zgjedhje të reja. Qeveritë teknike nuk janë për të bërë reforma në drejtësi, pasi reformat i bën parlamenti dhe siç ka thënë Petrit Vasili, nuk janë çështje ekspertësh. Kur ke bezdi nga një republikë ekspertësh, nuk mund të kesh adhurim për një qeveri ekspertësh. Reforma është një betejë që e vendos parlamenti dhe nëse ky parlament dështon, duhet të shpërndahet për ta bërë parlamenti i ri. Përpjekja për një reformë në drejtësi përfundoi në një reformim të aleancave politike në raport me drejtësinë. Kjo nuk është pak.

1 koment

PËRGJIGJU