Reforma në Drejtësi, ambasadorët dhe i kujt është turpi?

Nga Ardit Rada

Ndërkohë që pak orë na ndajnë nga ‘qoka’ e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin parti më parti, pikëpyetjet se çfarë do të ndodhë shtohen ora-orës. Në fakt, është e kotë të presësh diçka prej dy emisarëve politikë të Amerikës dhe Evropës përveçse mesazheve të koduara diplomatike. Ka qenë dhe mbetet e tillë Shqipëria, vendi ku çdo i huaj që përfaqëson kancelarinë respektive, ta shohë si një kavalishencë pse jo edhe për të kaluar edhe pleqërinë. Shembujt janë të shumtë, por rasti nuk na e lejon t’i përmendim me emra ambasadorët që kanë marrë dhjetëra dynym tokë ose ish-gjeneralë që drejtuan NATO-n në çlirimin e Kosovës dhe morën nga Shqipëria kontrata kazinosh. Apo ish-sekretarë shteti, që në Kosovë mprehën kthetrat për privatizime.

Ditët e miratimit të Reformës në Drejtës numërohen tashmë me gishtat  e dorës. Shqipëria ditët, apo orët e fundit, po i ngjan gjithmonë e më shumë një vendi që po i nënshtrohet një protektorati euro-atlantik. Ka qenë një dëshirë e heshtur e shqiptarëve kjo, e nisur ndoshta para viteve 90 kur, herë me zë e herë pa zë, shprehnin duke shfryrë togfjalëshin ‘si nuk na mori gjermani’, referuar Luftës së Dytë Botërore. E pra, dëshira po bëhet realitet. EULEX po vjen dhe në Shqipëri, ndërsa ata që dridhen më shumë prej këtij fakti mbeten ata që çirren e çjerrin më tepër për drejtësinë e munguar prej kohësh.

E bërë tashmë fakt, skena politike po kërkon të gjejë kompromisin mes vetes nën telefonatat dhe takimet që ne nuk mund t’i shohim, por i marrim me mend… Ndërsa mazhoranca e ka dhënë ‘OK’ e saj që prej vitit 2013 duke e përfshirë Reformën në Drejtësi si një premtim elektoral, opozita e mbetur ngushtë po kërkon që Lu dhe Vlahutin t’i thotë një fjalë të mirë publikisht në tavolinë qoftë dhe sa për sy e faqe, por që ta përdorë si bashkëautorësi në suksesin e ardhshëm. Damkosjen me turp para shqiptarëve edhe mund ta pranojnë sepse me popullin e saj klasa politike e ka regjur lëkurën me kohë, por një turp i paralajmëruar me SHBA-të, zor se e kapërdin.

E gjithë atmosfera të jep përshtypjen se llogaritë çalojnë diku, ose janë bërë aq mirë saqë Strasburgu nuk do t’i sjellë sërish letra shtetit për likuidimin e faturave disamilionëshe për pronat. I zhgënjyer nga situata politike, që do të shënonte më pas ngjarje të dhimshme për fatin e shqiptarëve, At Gjergj Fishta lëshonte dëshpërimisht vargjet ‘Uh Evropë, ti kurva e motit, Qi i rae mohit bese t’Zotit’… Sot, asaj pjese të Evropës dhe të botës që i ka mbetur një fije shpresë se Shqipëria do të bëhet, i rrotullohet në mendje një pikëpyetje e madhe për ne.

Kush do ta tradhtojë kauzën e madhe të bashkimit të Shqipërisë me Perëndimin? Uroj që shkaktarët të mos jemi ne. Sepse në të kundërt, bota dashamirëse apo hileqare nuk ka më nge për ne, qoftë dhe të na thurë 4 vargje.

1 koment

PËRGJIGJU