“Referendumi” për Trump-in

Nga Eduard Zaloshnja

Votimi për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan krijon të vetmen mundësi për një përputhje të përafërt statistikore mes votës popullore dhe shpërndarjes së mandateve për secilën parti. Votimi për Senatin nuk e krijon këtë mundësi, sepse votohet vetëm për 33 senatorë, nga 100 që ka Senati (mandati i senatorëve është 6-vjeçar dhe 1/3 e Senatit votohet çdo dy vjet).

Ndërsa mospërputhja e votës popullore me kolegjin elektoral (i cili zgjedh Presidentitn e SHBA-së) është kronike. Kështu për shembull, Hillary Clinton e fitoi votën popullore në rang kombëtar me 2.1%, por përfaqsuesit e saj në kolegjin elektoral përbënin vetëm 42% të kolegjit. 34 vjet më parë, Reagan-i fitoi vetëm 59% të votës popullore në rang kombëtar, por përfaqsuesit e tij në kolegjin elektoral përbënin plot 98% të kolegjit.

Në kushtet kur votimi për Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan krijon të vetmen mundësi për një përputhje të përafërt statistikore mes votës popullore dhe shpërndarjes së mandateve për secilën parti, ky votim shërben edhe si një “referendum” për presidentin e rradhës. I vetëdijshëm për këtë gjë, Presidenti Trump fushatoi fuqishëm e pa ndërprerje këto javët e fundit. Ai deklaronte gjithkund se vota e së martës për kandidatët republikanë do të ishte edhe një votë pro agendës së tij.

Dhe si iu përgjigjën votuesit Trump-it të martën? Rreth 54% e tyre në rang kombëtar votuan për kandidatët demokratë, të cilët duket se kanë fituar rreth 53% të vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nga exit-pollet e zhvilluara fill pas votimit, rezulton se epërsia e demokratëve ishte shumë më e madhe tek votueset femra (që përbënë gjysmën e pjesëmarrësve në votim) dhe tek votuesit për herë të parë (që përbënë 16% të pjesëmarrësve në votim). Kështu, rreth 60% e femrave votuan për kandidatët demokratë, ndërsa tek votuesit për herë të parë, kjo përqindje ishte edhe më e madhe – rreth 65%.

Nga ana e tyre, kandidatët republikanë patën epërsi të ndjeshme tek grupi demografik i meshkujve të bardhë dhe tek votuesit e bardhë (meshkuj e femra) pa arsim të lartë.

Këto të dhëna nga “referendumi” për Trump-in tregojnë se ai ka bërë shumë “armiq” në elektoratin e gjerë. Të shohim nëse këta “armiq” do t’i djegin atij mundësinë për një mandat të dytë…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU