Receta e ekspertëve, si të përgatisni kremin e pastiçerisë në shtëpi

Kremin e pastiçerisë mund ta hamë kështu siç është ose ta përdorim për të shoqëruar kekë e për të mbushur torta.

PËRBËRËSIT:
400 ml qumësht me yndyrë
100 ml pana (nëse nuk dëshironi të përdorni pana, përdorni 500 ml qumësht)
120 g sheqer
45 g niseshte misri ose orizi
4 të verdha vezësh
lëkura e një limoni organik, e prerë në feta jo shumë të vogla (vetëm pjesa e verdhë e lëkurës) ose një bustinë vanilje

PËRGATITJA:
1.Heqim 2 filxhanë të vegjël qumësht dhe pjesën tjetër, bashkë me panën dhe lëkurën e limonit, e vëmë të marrë valë në zjarr. E lëmë mënjanë të vaket dhe më pas heqim lëkurën e limonit kur të jetë vakur.

2.Në një tenxhere rrahim me rrahësen e vezëve me dorë, të verdhat e vezëve me sheqerin. Shtojmë niseshtenë dhe qumështin që kishim lënë mënjanë, duke i përzier derisa të mos kemi kokrra. Shtojmë qumështin e vakët, duke e përzier me rrahëse vezësh.

3.Vëmë tenxheren në zjarr të ngadaltë, duke e përzier me rrahësen e vezëve derisa të marrë valë.

E heqim nga zjarri pasi të kenë kaluar 2-3 minuta që nga momenti që ka valuar dhe të shohim që është trashur. E heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet, duke e përzier herë pas here, që të mos krijojë kore në sipërfaqe.

E ruajmë në frigorifer, të mbuluar me plastmasë kuzhine në kontakt direkt me të.

Pasi të jetë ftohur në frigorifer, mund ta hamë kështu siç është ose ta përdorim për të shoqëruar kekë e për të mbushur torta.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU