Rasti, kur Nishani ka të drejtë të mendohet!

Nga Mero Baze

Bujar Nishani e ka shpërdoruar disa herë të drejtën e njeriut për t’u menduar. E ka shpërdoruar në raste flagrante, kur ka tentuar të bëjë sikur mendohet për gjëra të cilat kanë kërkuar thjeshtë noterizimin e akteve juridike të miratuara në Kuvend, apo dekretim ministrash, për të cilat ai nuk ka arsye të mendohet.

E ka bërë këtë në shumë raste, për të treguar se partia e tij nuk është e kënaqur me ato vendime.

Por këtë radhë në tavolinën e tij ka shkuar ligji për “Vettingun”, i cili është një nga ligjet kyç të reformës në drejtësi, për të cilin Partia Demokratike është shprehur se do ta çojë në Gjykatë Kushtetuese.

Tani është rasti, që për herë të parë Bujar Nishani të mendohet para se të veprojë. Ai është në të drejtën e tij të mendohet, nëse duhet të zgjedhë sërish mes PD, dhe një qëndrimi ndërkombëtar të qartë kundër PD.

Nuk është puna se firma e tij ,ose mos-firmosja e tij, pengon reformën, por që Shqipëria të mos konsiderohet një vend vetëm me opozitë antiperëndimore, por dhe me President antiperëndimor.

Vendimi i Nishanit për të firmosur apo jo, nuk ka lidhje me fatin e reformës, por me fatin dhe imazhin e institucionit të Presidentit të Shqipërisë, në raport me Perëndimin.

Ai ka shansin të mendohet dhe të vendosë, nëse do të ruajë individualitetin e tij, si një President që e ka të ndaluar të mendojë me kokë të vet, apo të provojë të mendojë një herë.

Nëse nuk do ta firmoste, ai nuk do të zhgënjente askënd. Të gjithë, që nga diplomatët perëndimorë në Tiranë, e deri tek çdo deputet i Kuvendit, e llogarisin kundër atij ligji.

Nëse ai e firmos ligjin e “Vettingut”, ai do të thyejë së paku një rekord historik të tij, do të firmosë për herë të parë kundër një qëndrimi të PD.

Nuk është se kjo i duhet dikujt, por të paktën ta ketë si kujtim personal, që njëherë votoi kundër dhe nuk i ndodhi asgjë.

Firmosja e ligjit nuk është se do t’i jepte ndonjë meritë, por do të ishte lajm dhe mund të konsiderohej, që ia ka vlejtur që ai “u mendua”. Ndaj ai duhet të provojë të “mendohet” këtë radhë, pasi është në të drejtën e tij, aq shumë të shpërdoruar, kur nuk ka pasur arsye të mendohej fare. Dhe frika e të gjithëve, është se mos fillon e mendohet dhe në fund e dërgon ai në Gjykatë Kushtetuese, para PD. Kjo do ishte pak si tepër, pasi do duronim dhe idenë që ai mendohet dhe idenë që ai kujtohet që është i PD.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU