Raporti/ Biznesi dhe qytetarët, perceptim pesimist për ekonominë

Perceptimi i publikut për situatën ekonomike në vend u përkeqësua për të tretin tremujor rresht, çka përbën serinë më të gjatë negative që nga viti i vështirë 2015.

Banka e Shqipërisë raportoi se, treguesi i ndjesisë ekonomike, indeks i cili mat vlerësimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen e ekonomisë, ra me 1.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2018, duke zbritur në mesataren e tij afatgjatë.

Sipas vrojtimit të detajuar, rritja e pesimizmit në ekonomi u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e shërbimeve, të tregtisë dhe të industrisë, ndërkohë që i vetmi sektor me rritje ishte ai i ndërtimit.

Sipas Bankës, bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve, tregtisë dhe industrisë kanë raportuar ulje të prodhimit dhe përkeqësim të gjendjes financiare, ndërkohë që bizneset e ndërtimit kanë raportuar rritje të shitjeve dhe një situatë më të mirë financiare.

Komponenti tjetër i ndjesisë ekonomike, ai që mat besimin e konsumatorëve, pas disa tremujorësh me rënie, në tremujorin e katërt shënoi një përmirësim të lehtë me 0.7 për qind. Megjithatë, ky përmirësim ka rezultuar i pamjaftueshëm për të amortizuar rritjen e pesimizmit në sektorët e tjerë të ekonomisë.

Përkeqësimi i ndjesisë ekonomike për 3 tremujorë rresht është një sinjal shqetësues për ekonominë. Edhe pse treguesi i besimit mbetet ende në mesataren afatgjatë, në të shkuarën rënia e shpejtë e tij është shoqëruar me ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë, veçanërisht gjatë periudhës 2011-2015, ku rritja ekonomike zbriti në nivele minimale.

a.cupaj

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU