Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e së hënës në selinë e Kryeministrisë një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, ku ka bërë një pasqyrim të masave fiskale të marra nga qeveria e tij në favor të kësaj kategorie.
Në fjalën e tij, Rama ka nënvizuar se, gjithçka filloi me heqjen e asaj që e quajti “famëkeqen” taksa e sheshtë.
“Hoqëm famëkeqen taksë të sheshtë dhe kaluam tek taksimi i ndershëm. Zeruam taksën prej 80 dollarë për biznesin e vogël dhe zgjeruam listën e pajisjeve dhe makinerive të përjashtuara nga TVSH-ja”, deklaroi Rama.
Gjithashtu, theksoi ai, qeveria prezantoi 12 masa të reja lehtësuese për të nxitur prodhimin vendas dhe për të hequr taksat doganore për disa produkte.
“Falëm 26 milionë dollarë gjoba elektorale të vitit 2013 dhe ulëm me 5 herë gjobat e administratës tatimore”, vijoi shefi i qeverisë.
Një tjetër lehtësi për biznesin e vogël, shtoi ai, është edhe kthimi automatik i TVSH-së brenda 30 ditësh.
Ndërkohë, aksioni kundër informalitetit solli, sipas kryeministrit, rritjen e numrit të kuponëve të lëshuar me 70 për qind në 70 ditë; rritjen me 5 herë të numrit të bizneseve të regjistruara nga korriku në nëntor; etj.
Gjithashtu, “bizneset që bëjnë deri në 5 milionë lekë në vit do të çlirohen nga tatimi mbi fitimin, ndërsa për bizneseve që bëjnë 5-8 milionë do t’u ulim nga 7.5 në 5 për qind”, ka thënë më tej Rama.
/ Top Channel