Rama për turizmin: Jemi i vetmi vend në rajon pa hotel me 5 yje

Emrat më të njohur globalë në turizëm janë në pritje të përfundojnë marrëveshjet me sipërmarrësit dhe aktorët në tregun shqiptar, duke përmirësuar kështu edhe imazhin e Shqipërisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hotelin me 5 yje mes Mak Albania dhe Hyatt International, Kryeministri Edi Rama theksoi se “për pak më shumë se 1 vit të mandatit tonë të dytë, kemi hapur një rrugë që dukej e pamundur”.

“Kemi qenë i vetmi vend në rajon pa asnjë hotel me 5 yje, dhe jemi akoma sepse të kundërtën do ta themi kur të përfundojnë këto investime. Të gjithë e kujtojnë momentin e mbylljes së Sheraton-it, i cili edhe pse vetëquhej me 5 yje, nuk i kishte në realitetin e kësaj ngrehine”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, sot nënshkruhet kontrata me Hyatt, ndërsa disa më parë u nënshkrua një tjetër kontratë me Marriott.

“Në vijim janë një sërë emrash të tjerë të njohur globalisht në turizmin botëror që presin të përfundojnë marrëveshjet me sipërmarrësit dhe aktorët në tregun shqiptar”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “përbën një vlerë të shtuar në imazhin e vendit dhe fuqizimin e industrisë së turizmit”.

/A.Rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU