Rama nuk tutet nga shoqëria civile “cool”

Nga Enkel Demi/

Në Shqipëri është shumë e lehtë që të përfundosh nga milioner në demonstrues. Ma merr mendja Tirana është i vetmi qytet në botë, ku e gjen pasunarin në rrugë duke bërë revolucionarin ndaj kastës që e ka bërë pasunar. Zakonisht, njeriu i pasur që vjen nga një e shkuar varfanjake ngre zërin, sepse instiktet e skamnorit ndikojnë më shumë se ato të zengjinit. Fëmijët e tij me siguri do sillen ndrysh. Rëndom, shkelja e një interesi personal e cyt përherë këtë njeri të organizojë tubimin, ose grupin e kundërshtisë, madje ta quajë “shoqëri civile”. Në këtë rast, nuk është e vështirë të mobilizosh një poet, një publicist dhe të shkosh në shkallët e Hotel Tirana të shprehësh armiqësinë ndaj një projekti për ndërtimin e stadiumit, të cilin kryeministri e ka pagëzuar “cool” ose me “kullë”.

Projekti kështu si po paraqitet edhe sikur të jetë më i miri në botë, është i llahtarshëm. Kreu i qeverisë e ka marrë përsipër vetë këtë betejë, e cila e kthen në kohën, kur ishte kryetar bashkie. Po e administron gjithë këtë dava me një kryeneçësi, e cila padyshim po e kalon të drejtën tek skeptikët. I njëjti mekanizëm arrogance që faktorizoi Ben Blushin në një lëvizje politike, po përdoret nga Edi Rama për të ngritur në mes të Tiranës, një tjetër kullë, e cila do të jetë po aq e lartë sa dhe 21 katëshi pak metra më tutje. Kundërshtarët e saj ndryshe nga këndi i lojërave kanë qasje në sipërmarrje, media dhe politikë. Jo të gjithë dalin kundër, sepse duan qytetin si Fatos Lubonja, por pjesa dërrmuese e sipërmarrësve revolucionarë me siguri gjetkë do u jetë prishur terezia prej qeverisë. Diku ajo nuk u ka shkuar pas fijes. Por, si përherë rëndësi ka që zëri kundër të tufëzohet, megjithëse qëllimet janë krejt të ndryshme.

Këtu Edi Rama ka një avantazh jo të lehtë, ndaj sillet si trim para kësaj shoqërie civile që ka përballë. Shumicës dërrmuese të saj i ka dhënë leje ndërtimi, u ka krijuar mundësinë e krijimit dhe grumbullimit të pasurisë që ka sot. Ndaj, edhe sikur ata të kërkojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një dëgjesë publike, nuk kanë me vete besueshmërinë. Fjala vjen, të paktën nja dy nga protestuesit e bëjnë një pasuri që i kap nja 50 milionë euro, e cila u krijua kryesisht gjatë qeverisjes së Edi Ramës në Tiranë, por edhe tash që erdhi në pushtet. Ata që sot kundërshtojnë kullën e stadiumit, para pak vjetësh kanë qenë po kaq cool, sepse kanë ndërtuar kullat e tyre po në qendër të Tiranës, si përherë nën hyqmin e kreut të sotëm të qeverisë. Ndaj, Bejtja mund të ketë të drejtë për Lubonjën si simbol opozitar, por kësaj here ky i fundit i ka gjetur shokët të ngjyer në faj.

Në vitin 1996 ai puqej me sojin e tij kundër Berishës, sot pa menduar gjatë bëhet me oligarkët hatërmbetur.27.al

javanews/ a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU