Rama nga Tepelena: Ktheni shtëpitë në bujtina për të dalë nga varfëria!

Nga Tepelena, Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve të kësaj zone që të rikonstruktojnë banesat e tyre të vjetra dhe t’i kthejnë në bujtina të vogla për agro-turizmin. Kjo sipërmarrje e vogël do ta ndihmojë këtë zonë për të dalë nga varfëria, tha Rama. Ai i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, që të bëjë projekte për qytetarët që kanë shtëpi në zona malore dhe t’i kthejnë në bujtina apo hotele të vogla. Kjo nismë, do të shtojë turizmin në këtë zonë.

“Nuk e harroj kur Tërmeti më ka çuar mesazhin e parë, u shfaqën edhe disa suedezë. Nuk bëhej fjalë të vinin suedezë këtu në atë gropë që ishte Tepelena. Kjo zonë do të jetë plot, jo vetëm në sezon por edhe jashtë sezonit.

Kush e kthen shtëpinë në një bujtinë dhe ndërton një fermë të vogël, e para ka tatim-fitimi vetëm 5%.

E dyta e ka tvsh vetëm 6%. E treta merr mbështetje nga shteti. Dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që janë në emigracion, që ta shikojnë këtë mundësi. Është rruga e daljes përfundimtare nga varfëria. Tërmet, boll u krenove me ato që ke bërë në qytet. Ngjitu nëpër male dhe bëni projekte me njerëzit që kanë shtëpi atje. Dhe ne do mbështesim projektet financiarisht. Do japim para“, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Nismën për ndërtimin e bujtinave të vogla në Tepelenë, Kryeministri e krahasoi me zhvillimin e qytetit të Gjirokastrës, sipas të cilit është shtuar numri i hoteleve dhe bujtinave të vogla për turistët e huaj.

Rama lavdëroi gjithashtu punën e kryebashkiakut të Tepelenës për investimet që janë bërë në qytet. Rilindja urbane, tha Kryeministri, ka rritur vlerën e banesave.

“Ju kujtohet kur për herë të parë ne prezantuam kryetarin aktual të Bashkisë edhe në atë kohë tingëlloi pak si çuditshëm lidhja e emrit me programin e PS, sepse thoshte posteri ‘Tërmeti e vetmja rrugë për Tepelenën’. Për shumëkënd u përkthye si erdhi dita e qametit. E vërteta është që sot ne jemi në jnë realitet që ka ndryshuar rrënjësisht jo se gjithçka ka përfunduar, ajo që duhet të bëjmë për Bashkinë e Tepelenës është shumë më tepër se ajo që kemi bërë, por ama ajo që kemi bërë ka shënuar kthesë historike për zonën.

Shpesh herë thuhet fasada, palma, drita. por ka një fakt. sa kushtonte një apartament në Tepelenë? Po të ishte me fat e shisje 10 milionë Lekë të vjetra. Sot nuk shet njeri shtëpi në qendër të Tepelenës. Është një rritje e kudondodhur në të gjithë territorin. Është rritje shumëfish e vlerës së pasurisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU