Rama në Zharrëz: Kredi 50 milionë euro në vit për fermerët

Kryeministri i vendit Edi Rama është takuar sot me fermerët e zonës së Zharrëzës në Fier, ku ka thënë se qeveria do të garantojë kredi të buta për fermerët dhe se vlera e kësaj kredie është 300 milion euro, ku fermeri mund të marrë 50 milion euro në vit.

“Tani në dorë ne kemi të ndihmojmë dhe të bashkëpunojmë për të rritur kreditimin në bujqësi, financimin e familjeve fermerëve përmes fondit kombëtar të garancisë që shteti e ka vënë në shërbim të fermerëve në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim për marrje kredie me interesa të ulëta të garantuara nga shteti. Rezerva që është në dispozicion është 300 milion euro dhe mundësia për të marrë është 50 milion euro në vit”, tha Rama.

Ai i ka bërë apel bashkive të reja që në shërbim të fermerëve të vënë në dispozicion të tyre staf të kualifikuar, ndërkohë që këtyre të fundit të paraqesin projekte të sakta në mënyrë që të përfitojnë nga këto fonde të dhëna.

“Bashkitë e reja duhet të përqëndrohen seriozisht me njerëz të përkushtuar. Dua të sensibilizoj ata që punojnë në fshat, për këtë mundësi, duke pasur parasysh se edhe bankat nuk i japin paratë symbyllur, pasi duan projekt dhe bindje, gjë për të cilën do të jetë në mes shteti përmes AZHBR. BE financon në mënyrë bujare, por ka kusht të panegociueshëm, financon në bazë projektesh bindëse”, tha ai.

Kryeministri tha se gjatë tre viteve qeverisje nga kabineti i tij është bërë shumë për të ndihmuar fermerët, por ai ka theksuar se ka ende punë për tu bërë në mënyrë që fermerët të mos e shohin tokën si një mundësi për të siguruar të ardhurat e përditshme, por për ta kthyer në një biznes shfrytëzimin e saj.

“Mbetet për tu bërë punë kolosale për të kapërcyer një epokë që ishte e përqëndruar tek krahët e familjes dhe tek të ardhurat nga emigracioni dhe shpresa se do vinte në ndihmë ndonjë thërrime nga subvencionet e shtetit që kanë qenë minimale. Për tu futur në një epokë ku falë reformës administrativo-territoriale bashkitë të shërbejnë si urë komunikimi mes qeverisë e fermerëve dhe këta të fundit ti kthejnë sytë në dy drejtime: Programeve të financimit nga bankat dhe të Programeve të financimit nga BE. Për të kaluar nga puna e përditshme me tokën si një punë e detyruar tek transformimi i familjes fermerë në biznes duhet të investohet në kapacitete’ tha Rama.

shqiptarja.com/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU