Rama, Meta dhe zgjedhjet

Nga Skënder Minxhozi/

Në harkun e 24 orëve kreu i LSI dhe ai i PS janë rikthyer, nën ngacmimet e gazetarëve, tek tema e shumëpërfolur e koalicionit. Me tre të katërtat e mandatit aktual të lëna pas shpine, sfida aktuale në tryezën e PS-LSI është që të verifikojë mundësitë për të vazhduar eventualisht edhe një mandat tjetër në bashkëqeverisje.

Vetëm një muaj e gjysëm më parë kjo mundësi ngjante e largët dhe thuajse e pamundur. Lëkundjet e forta sizmike të reformës në drejtësi, i destabilizuan rëndë në distancë, marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës, duke prodhuar paralelisht një simbiozë të njëkohshme qëndrimesh mes LSI dhe PD. Formalisht për reformën në drejtësi, por në fakt optika e hapjes mes Bashës dhe Metës dukej qartë se i tejkalonte kufinjtë e draftit të reformës.

Nga ajo kohë duket sikur ka kaluar një vit. Në të vërtetë nuk janë më shumë se 40 ditë. Dhe koalicioni fluid mes LSI dhe opozitës duket realisht “në të dyzetat”. Ilir Meta dhe Edi Rama rigjetën kënaqësinë e drekave e darkave të përbashkëta, ata nisën të komunikojnë në publik dhe mesazhet e kryqëzuara të atyre që u qëndrojnë pas shpine, nisën të jenë më të buta e bashkëpunuese. Ra formula e qeverisë së ekspertëve, ranë vështrimet e ngrysura nga njëra anë e tavolinës tek tjetra dhe u rikthye në vendin e saj formula “me qetësi dhe dashuri”, e hedhur në kosh nga batuta e Fatmir Xhafës në 21 korrik.

Tashmë ndodhemi në një situatë mossulmimi, e cili ka shpëtuar (për momentin), jo vetëm qeverinë dhe koalicionin që e mbështet, por po lejon të flitet edhe për planet afatmesme. Thënë ndryshe, për aleancën e ardhshme elektorale. E këtu qëndrimet mes Ramës e Metës vijojnë të jenë ato që kanë qenë prej shumë kohësh. I pari kërkon qartësi dhe vendimmarrje sa më të shpejtë, pas një ballafaqimi dypalësh rreth bilancit të mandatit dhe hapësirave për bashkëpënim zgjedhor, kurse i dyti vijon t’u rrëshqasë pyetjeve për aleancat elektorale, duke zgjedhur të shprehet me fraza parafabrikate të tipit “integrimi më i rëndësishëm se bashkëqeverisjet”.

Kjo fasadë me dy pamje pasqyron saktësisht pozitat ku ndodhen sot dy liderët e maxhorancës. Në njërën anë Kryeministri , i cili ka ngutin për të inicuar një proces negociatash me partnerin e tij kryesor, për shkak të specifikave të zgjedhjeve të vitit 2017, në anën tjetër kreu i LSI, për të cilin shtyrja sa më shumë e një përgjigjeje të qartë (dhe përgjithësisht të qenit sa më i paqartë), do t’i jepte kohë dhe mundësi manovrimi në një moment të dytë. Mundësisht sa më afër zgjedhjeve, siç pati vepruar edhe me Berishën gjatë vitit të fundit të bashkëqeverisjes së mëparshme.

Rama e di se para tij ndodhet detyra e delikate e një negociate me LSI, ku tashmë ka reklamuar pjesë edhe PDIU, e që do të përmbajë edhe një kapitull gjithashtu shumë delikat, siç është zgjedhja e kreut të shtetit. Të gjitha këto elemente, por edhe një bilanc qeverisjeje i cili është kryesisht i tij, e jo i Metës, bëjnë që Edi Rama të jetë i nxituar në dëshirën për t’i vënë gjërat mbi tryezë dhe për të nisur një diskutim politik dhe elektoral.

Nga ana e tij Ilir Meta duket se beson se sa më shumë ta shtyjë momentin e vendimmarrjes, aq më shumë do të rrisë aksionet e tij në tryezë, duke u përpjekur që të jenë të tjerët që të hedhin e parë, e jo ai vetë. Lojtar taktik i njohur dhe me eksperiencë, ai po pret ta vrojtojë dhe ta lexojë në shumë fronte situatën politike, me të gjitha gropat thithëse, mundësitë dhe të papriturat që ajo do të sjellë me vete. Presidenti, reforma në drejtësi, çamët etj, janë që të gjitha elemente që Meta duhet t’i llogarisë me shumë kujdes, para se të marrë një vendim. Për momentin duket se instikti i thotë të presë dhe të shohë. Fiks e kundërta e asaj që dëshëron Edi Rama. Nuk është hera e parë dhe as e fundit, që të dy kanë dashur gjëra të kundërta, përveç diçkaje: pushtetit. I cili edhe kësaj rradhe do të kalojë përmes vrimës së ngushtë të zgjedhjeve.

1 koment

  1. Boll er debil, ke tre muaj qe i lepin bycen o njerit o tjetrit. Sot Tirana te eshte blloku nga trafiku per shkak te punimeve idiote ne shesh, studentet jane ne proteste, e ti shkruan se hallin e Metes apo te Rames duhet te qajme. Shkruaj per ndonje hall te popullit o trap me zile.

PËRGJIGJU