Rreth 8,1 km kanal kullues Urë-Vilu është pastruar e sistemuar plotësisht nga mjetet e Bordit të Kullimit Lezhë duke përmirësuar kullimin për 15000 ha tokë bujqësore në zonën e Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama publikon pamje nga puna për çlirimin e këtij kanali kullues që mundëson ujitjen dhe kullimin e tokave bujqësore në zonën e Shkodrës.
“Mirëmëngjesi, dhe me këto pamje nga puna për çlirimin e kanalit kullues 8.1 km të gjatë Urë-Vilu që mundëson ujitjen dhe kullimin për 15 mijë Ha tokë bujqësore në zonën e Shkodrës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Rreth 97 metra kub dhera janë pastruar nga ky kanal duke e rehabilituar atë plotësisht dhe vënë në funksionim të sistemit të bujqësisë dhe rritur aftësinë përthithëse me 500 metra kub për sekondë.
Administrimi i sistemit të ujitjes nëpërmjet kujdesit, sigurimit dhe administrimit të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes dhe shmangia e përmbytjeve është një nga sektorët prioritarë të dikasterit të Bujqësisë për vitin 2019.
Me mbështetjen e Bankës Botërore, aktualisht po zbatohet projekti më i madh në sistemin e ujitjes dhe kullimit me vlerë 23 milionë euro./a.ç